

Në një seancë me dyer të mbyllura në Gjykatën e Posaçme, i penduari i drejtësisë, Nuredin Dumani, ka zbardhur detaje tronditëse mbi luftën mes grupeve kriminale, vrasjet me pagesë dhe paktet e fshehta të botës së krimit.
Ai ka rrëfyer se si kishte bashkëpunuar me Erion Alibejn për të eliminuar rivalin e tij, Talo Çelën, ndërsa ky i fundit përpiqej t’i merrte jetën.
Gjatë dëshmisë, Dumani ka zbuluar përdorimin e telefonave të koduar në platforma të enkriptuara si Matrix dhe Sky ECC, duke treguar sesi kriminelët organizonin atentate pa lënë gjurmë.
Ai ka përshkruar edhe takimin me Erion Alibejn, ku ishte përpjekur të sqaronte se nuk kishte qenë ai përgjegjës për atentatin në Bradashesh të Elbasanit në 2018, ku mbetën të vrarë tre persona, mes tyre dhe familjarë të Alibejt.
Në këtë seancë ishte i pranishëm edhe i arrestuari Enver Diva, i cili deklaroi se kishte marrë një fotografi të Talo Çelës dhe një çantë me para nga dy biznesmenë dhe dy deputetë, të cilët kërkonin ekzekutimin e tij. Megjithatë, Dumani mohoi këtë version të ngjarjeve.
Deri më tani, Dumani ka pranuar të ketë kryer të paktën 12 vrasje për llogari të organizatave kriminale, shumica e tyre të porositura.
Dosja “Plumbi i Artë” përfshin 32 persona të dyshuar dhe të akuzuar nga katër grupe kriminale të fuqishme, duke zbuluar një sagë krimesh të organizuara që kanë tronditur vendin. /noa.al
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





