

Tiranë, 25 shkurt 2025 – Trupi i 12-vjeçarit Leo Sadiku, i cili humbi jetën në spitalin e Tiranës më 8 janar të këtij viti, është zhvarrosur sot për t’u nënshtuar autopsisë. Ekspertë të Institutit të Mjekësisë Ligjore, shoqëruar nga prokurorë të Prokurorisë së Tiranës, e cila po heton rastin, kanë kryer procedurën e zhvarrosjes në prezencë edhe të familjarëve të viktimës.
Ekspertët pritet të marrin mostra nga trupi i 12-vjeçarit të cilat më pas do të dërgohen për ekspertim në Institutin e Mjekësisë Ligjore për të zbuluar shkakun e vdekjes.
Në raportin e parë, mjekët e QSUT konkluduan se Leo Sadiku ka ndërruar jetë si pasojë e miokardit akut. Megjithatë, familjarët e viktimës kanë ngritur akuza për neglizhencë në trajtim ndaj mjekëve të QSUT, duke kërkuar që të përcaktohet shkaku i saktë i vdekjes.
Fillimisht, pas vdekjes së 12-vjeçarit, familjarët kishin refuzuar kryerjen e autopsisë, por pas nisjes së hetimeve nga Prokuroria e Tiranës, organi procedues vendosi kryerjen e saj.
Reagimet e familjarëve kanë qenë të vazhdueshme, duke protestuar dhe kërkuar një hetim të plotë për të zbardhur shkaqet e vdekjes së 12-vjeçarit nga fshati Pocestë i Maliqit.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





