

Lamine Yamal nuk është stërvitur në prag të ndeshjes gjysmëfinale të Kupës së Mbretit kundër Atlético Madridit, pasi pësoi një shkelm në këmbë me gjakderdhje, gjatë përballjes me Las Palmas. Megjithatë, trajneri i Barcelonës, Hansi Flick, i cili dje festoi 60-vjetorin, nuk e ka përjashtuar pjesëmarrjen e tij në ndeshje, madje është shprehur optimist për mundësinë që talenti i ri të luajë dhe të jetë titullar.
Flick theksoi se orët në vijim do të jenë vendimtare për të vlerësuar gjendjen e Yamal: "Duhet të presim dhe të vlerësojmë situatën. Mendoj se mund të luajë, kam ndjenja pozitive. Do të duhet të presim".
Në momentin kur sulmuesi i Barcelonës pësoi dëmtimin, gjyqtari nuk e ndëshkoi kundërshtarin as me karton të verdhë. I pyetur për nevojën e mbrojtjes së lojtarëve të caktuar, Flick theksoi: "Nuk mund të themi që duhet të mbrohet në mënyrë të veçantë Lamine apo disa lojtarë të tjerë, kjo duhet të vlejë për të gjithë. Nëse nuk jepen kartonë të verdhë, ndërhyrjet e ashpra vazhdojnë të përsëriten".
Lamine Yamal nuk mori pjesë në seancën e fundit stërvitore të Barcelonës, para ndeshjes ndaj Atlético Madridit në “Estadi Olímpic Lluís Companys” të Montjuïcit. Ylli i ri ndezi alarmin disa orë përpara përballjes vendimtare të Kupës së Mbretit, megjithatë, siç raportoi SPORT, lojtari mendon vetëm të jetë i gatshëm për Hansi Flick, pavarësisht shqetësimit fizik që pësoi gjatë ndeshjes së fundjavës kundër Las Palmas.
Flick i përgjigjet Tebas-it për Olmo
Emri i Dani Olmos ishte një nga temat kryesore në konferencën për shtyp të Hansi Flick përpara përballjes mes Barcelonës dhe Atlético Madridit në gjysmëfinalen e parë të Kupës së Mbretit. Olmo ka qenë protagonist për blaugranat me paraqitjen e tij vendimtare në fitoren ndaj Las Palmas, por gjithashtu është në qendër të vëmendjes për shkak të gjendjes fizike dhe problemeve me regjistrimin në LaLiga, çështje mbi të cilën ka komentuar edhe Javier Tebas (kreu i La Liga-s).
Flick është përgjigjur qartë mbi këtë çështje: “Nuk dua të prononcohem për këtë. Tani mund të luajë dhe kjo është ajo që ka rëndësi. Situata aktuale është kjo, unë jam shumë i lumtur që mund të luajë. Do të shohim se çfarë do të ndodhë, gjithmonë më habisin disa gjëra që ndodhin në Spanjë, por unë jam i lumtur këtu”.
Presidenti i La Liga-s, Javier Tebas, deklaroi më herët gjatë një eventi të organizuar nga “Europa Press” se “Olmo nuk duhet ta përfundojë sezonin”, pavarësisht se Këshilli i Lartë i Sportit (CSD) e ka miratuar aktivizimin e tij.
Përsa i përket formës së lojtarit, Flick ka siguruar se është gati për të luajtur që nga fillimi dhe për 90 minuta të plota: “E kemi menaxhuar me kujdes dhe është i gatshëm për të qenë titullar. Goli i tij ndaj Las Palmas ishte shumë i rëndësishëm. Për mua më e rëndësishmja është që ai të jetë në fushë”.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





