Transmetuar më 25-02-2025, 09:03

Në një intervistë për “GQ Italia”, Zlatan Ibrahimovic, konsulent i RedBird dhe pjesë e strukturës drejtuese të Milanit, ka folur edhe për mënyrën se si përjetohet stresi në “Casa Milan”: "Në këtë punë, në ‘Casa Milan’, nuk e kupton se je i stresuar deri sa të përplasësh me… murin. Dhe kur ndodh, mund të jetë tepër vonë.

Për këtë arsye, përpiqem të mbaj gjithçka në ekuilibër. Për shembull, unë nuk kam një zyrë. Ata donin të më jepnin një, por zgjodha të mos e marr. Një tavolinë nuk është provë e efikasitetit. Për mua, efikasiteti është të japësh maksimumin në atë që bën. Pavarësisht nëse jam këtu në ‘Casa Milan’ apo në Milanello".

Menaxhimi i stresit: "Si e menaxhoja stresin si lojtar? Nëse isha i stresuar, i zemëruar apo diçka nuk më pëlqente, shkoja në palestër për dy orë. Edhe sot përpiqem të stërvitem çdo ditë, kur mundem.

E bëj për të çliruar energjinë dhe larguar zemërimin. Nëse diçka nuk shkon apo nuk përfundon siç duhet, unë stërvitem, vuaj në stërvitje. Sepse mua më pëlqen të vuaj. Në mendjen time është e qartë: nëse dëshiron të arrish lart, duhet të vuash".

Roli i ri te Milani: “Këtu gjithmonë ndodhin situata të reja. Nuk jam ende i mësuar me gjithçka, ndaj vëzhgoj, mësoj, fitoj përvojë. Flas kur duhet, por nëse nuk jam i sigurt, nuk iu tregoj të tjerëve se çfarë duhet të bëjnë në sferën e tyre. Nëse nuk është fusha ime, i besoj atij që është përballë meje. Ai duhet të marrë vendimin e duhur".

Suedezi e përfundon me një mesazh të qartë: "Një gjë është e qartë, unë pres rezultate. Çdo gjë që bëjmë duhet të sjellë rezultate. Nuk jemi një fondacion bamirësie, por një klub futbolli. Dhe në futboll, rezultatet janë ato që vlejnë. Sepse unë gjithmonë them: Milani nuk luan për të fituar një ndeshje. Nuk luan për të fituar trofe. Milani shkruan historinë".

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit