

Legjionarët kuqezi kanë mbyllur një tjetër javë pozitive, duke regjistruar paraqitje të mira me klubet e tyre.
Jasir Asani është rikthyer te goli me skuadrën e Gwangju. Sulmuesi i Kombëtares gjeti rrugën e rrjetës në barazimin 2-2 ndaj Jeonbuk. Asani, i aktivizuar si titullar, realizoi golin e parë të takimit në minutën e 14-të.
Rrugën e rrjetës e gjeti edhe Qazim Laçi. Mesfushori kuqezi zhvilloi një ndeshje shumë të mirë në fitoren e Sparta Pragës 2-1 ndaj Ceske Budejovice.
Laçi shënoi golin e parë të takimit në minutën e 64-t dhe në fund të ndeshjes, u përzgjodh si lojtari më i mirë me notën 9.2 nga sajti i specializuar për statistika Sofascore.
Atalanta e Berat Gjimshitit arriti një fitore të madhe në transfertë ndaj Empolit, me rezultatin e thellë 0-5. Kapiteni i Kombëtares kuqezi u aktivizua si titullar dhe ishte protagonist te goli i dytë, i shënuar në minutën e 33-të. Gjimshiti asistoi saktë për Reteguin, i cili gjeti rrugën e rrjetës.
Nga lojtarët e Kombëtares, titullarë me skuadrat e tyre u aktivizuan Arlind Ajeti, Enea Mihaj, Marash Kumbulla, Amir Abrashi, Kristjan Asllani, Feta Fetai, Adrion Pajaziti, Keidi Bare, Anis Mehmeti, Taulant Seferi, Arbër Hoxha dhe Arbnor Muja. Dhanë kontributin e tyre si zëvendësues Nedim Bajrami dhe Medon Berisha.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





