Transmetuar më 24-02-2025, 10:57

Javier Tebas, presidenti i La Liga-s, në një intervistë për “The Objective”, ka sulmuar sërish Real Madridin për polemikat e fundit mbi gjykimin në Spanjë: "Ka pasur shumë polemika mbi arbitrat javët e fundit. Real Madridi krijon polemika, shpik histori të rreme dhe vë në dyshim gjithë futbollin.

Është një narrativë verbalisht agresive dhe manipuluese. Njoh shumë madridistë që nuk janë dakord me klubin, i cili është një klub që qahet (ankohet) gjithë ditën. Qajnë për fundjavën, do të qajnë për fundjavën tjetër dhe sipas tyre, gjithçka është faj i një konspiracioni".

Ai sulmoi gjithashtu Florentino Pérez, duke e akuzuar se përfaqëson një model futbolli vetëm për të pasurit: "Futbolli i Florentinos i mashtron njerëzit. Ai përfaqëson futbollin e oligarkëve, futbollin vetëm për të pasurit. Ai dëshiron të vendosë gjithçka, se si shpërndahen të ardhurat. Madridizmi im është në gjumë, por ndonjëherë më del nga kontrolli. Një pjesë e tifozëve të Realit po bëjnë gabimin e madh duke adhuruar gjithçka që bën Florentino".

Lidhur me projektin e Superligës, Tebas u shpreh qartë se nuk e imagjinon një La Liga pa Real Madridin, edhe pse mendon se Florentino nuk e pranon dot humbjen: "Nuk e imagjinoj një La Liga pa Real Madridin, është e pamundur. Florentino është kokëfortë dhe i vendosur. Ai nuk humbet kurrë. Nëse Superliga nuk realizohet, ai do të thotë se çfarëdo që të ndodhë, ka ndodhur falë tij".

Ditët e fundit ka pasur shumë polemika. Në një letër drejtuar Komisionit Disiplinor të Federatës Spanjolle të Futbollit, Real Madridi kërkoi regjistrimet audio mes arbitrit dhe VAR-it, veçanërisht për dy episode: Mungesa e kartonit të kuq për Carlos Romero (i cili më pas shënoi golin vendimtar) dhe goli i anuluar i Vinicius Jr.

Përveç kësaj, klubi madrilen ka kërkuar "reformë strukturore" të sistemit të arbitrimit në Spanjë, duke e akuzuar atë si "të korruptuar" dhe "manipulues".

Reagimi i La Liga-s nuk vonoi, me Tebas që kërcënoi me veprime ligjore: "Do të paraqesim një padi, ashtu siç kemi bërë edhe kundër televizionit zyrtar të klubit madrilen. Po e analizojmë çështjen në nivel juridik, por sigurisht që ky lloj informacioni nuk mund të lejohet, sepse është gënjeshtër ose një e vërtetë e pjesshme".

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit