

PENSILVANI- Një oficer policie u vra dhe pesë persona të tjerë u plagosën, pasi një 49-vjeçar mori peng stafin mjekësor dhe hapi zjarr në një spital në York, Pensilvani në SHBA. Personi i armatosur, i identifikuar nga autoritetet si Diogenes Archangel Ortiz, 49 vjeç, u vra gjatë shkëmbimit të zjarrit me oficerët e policisë. Gjithashtu bëhet e ditur se autori i ngjarjes shkoi ditën e djeshme në ambientet e spitalit dhe nën kërcënimin e armës mori peng stafin mjekësor të spitalit.
Gjatë shkëmbimit të zjarrit me policinë, 49-vjeçari qëlloi për vdekje një oficer policie, ndërsa plagosi pesë persona, 3 prej tyre nga staf mjekësor dhe 2 policë. CNN shkruan se grupi hetimor nuk ka dhënë ende informacione lidhur me motivin e sulmit. Sakaq spitali siguroi se asnjë pacient nuk është lënduar nga ngjarja.
“Asnjë pacient nuk është lënduar. Spitali tani është i sigurt”, tha për CNN Susan Manko, zëdhënëse e UPMC Memorial në York.
Oficeri që humbi jetën ishte Andrew Duarte, konfirmoi departamenti i tij në Facebook. Duarte i ishte bashkuar departamentit në vitin 2022 pas pesë vitesh në Departamentin e Policisë së Denverit, sipas profilit të tij në LinkedIn. Guvernatori Josh Shapiro vizitoi spitalin pas incidentit tragjik dhe vlerësoi oficerin që humbin jetën Duarte dhe kolegët e tij për misionin e tyre.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





