Transmetuar më 22-02-2025, 13:19

Thiago Motta nuk e fsheh zhgënjimin pas eliminimit nga Champions League: "Jam i trishtuar dhe i zemëruar, mjafton të më shikoni në fytyrë për ta kuptuar. E ndjej unë, lojtarët dhe klubi. Donim të ishim në raundin tjetër, por PSV e meritoi më shumë".

Ai theksoi se nuk ka kuptim të kthehen pas dhe të analizojnë zgjedhjet e bëra në Eindhoven: "Jam i pari që bëj autokritikë, por duhet të ecim përpara. Rruga është e duhura".

Trajneri i Juventusit përpiqet ta mbyllë këtë kapitull dhe të përqendrohet te ndeshjet e ardhshme: "Bëj autokritikë çdo ditë, nuk më duhet një humbje për ta bërë këtë. Pranoj opinionet e jashtme, por besoj se rruga jonë është e duhura. Tani duhet të rikthehemi fuqishëm ndaj Cagliarit dhe më pas në Kupën e Italisë".

Juventusi tashmë po fokusohet te gara për vendin e katërt në Serie A, pas tri fitoreve radhazi ndaj Empolit, Comos dhe Interit: "Po, është e vërtetë që tani luajmë më vertikalisht. Nuk ka rëndësi nëse kemi më pak ose më shumë posedim, ajo që ka rëndësi është të fitojmë ndeshjet. Në Eindhoven, pas minutës së 60-të, vuajtëm më shumë ndaj intensitetit të PSV-së. Nuk them se ishin superiorë, por e meritonin më shumë fitoren".

Për ndeshjen ndaj Cagliarit, Motta shpreson të rikuperojë Douglas Luiz: "Do të shohim në seancën e fundit stërvitore". Për Conceição, ai shprehet se lojtari po jep shumë, por ka ende për t’u përmirësuar.

Për sa i përket Vlahovic, trajneri bardhezi shprehet i hapur për aktivizimin e tij nga minuta e parë: "Ka mundësi të luajë titullar, si të gjithë. E kemi parë tashmë edhe në dyshe me Kolo Muanin. Çdo vendim merret për të mirën e Juventusit". E njëjta gjë vlen edhe për Kenan Yildiz: "Kur ka luajtur, e ka merituar, por nuk mund të luajnë të gjithë".

Një tjetër pikë e rëndësishme për Motta është Timothy Weah si mbrojtës i djathtë: "Po bën shumë mirë, si në fazën mbrojtëse, ashtu edhe në sulm. Fiton shumë duele dhe shënon gola. Ka formë të shkëlqyer".

Për talentin e ri Alberto Costa, ai shprehet optimist: "Ka uri për të luajtur dhe është më i strukturuar sesa mosha e tij. Kur të vijë mundësia, jam i bindur se do ta shfrytëzojë".

Mbrojtja mbetet një shqetësim për Juven, pasi Renato Veiga u dëmtua në Eindhoven dhe do të mungojë të paktën 20 ditë. Motta nuk e sheh këtë si fat të keq: "Nuk është çështje fati. Mjafton të shohim Manchester City dhe Real Madridin, që po përballen me të njëjtat probleme".

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit