

Barça udhëtoi të premten pasdite drejt Las Palmas për t’u përgatitur për ndeshjen e së shtunës (21:00) në ishullin Gran Canaria. Hansi Flick kishte në dispozicion 25 lojtarë dhe duhej të përjashtonte dy prej tyre nga lista përfundimtare prej 23 lojtarësh për t’i marrë me vete.
Të sakrifikuarit ishin Ansu Fati dhe Andreas Christensen, i cili, megjithëse është rikthyer të stërvitet me grupin, ende nuk ka marrë miratimin mjekësor. Një rikthim në realitetin e vështirë për Ansu, i cili, pavarësisht se ishte në listë kundër Rayo Vallecano në ndeshjen e fundit, sërish mbeti jashtë grumbullimit për përballjen me Las Palmas.
Kjo është hera e gjashtë që talenti i “La Masia” nuk përfshihet nga Flick në vitin 2025, teksa deri tani ka luajtur vetëm në ndeshjen e parë të vitit kundër Barbastro. Hans-Dieter Flick doli në konferencën për shtyp, ku foli për ndeshjen ndaj Las Palmas, por komentoi edhe shortin e 1/8 finale të Champions League.
Si ju duket kundërshtari, Benfica?
Mendoj se do të jetë një ndeshje e vështirë, Benfica luan shumë mirë. Është një skuadër e fortë dhe së fundi kemi parë që i njohin shumë mirë kundërshtarët e tyre. Nuk është e lehtë të përballesh me ta. Nuk mendoj aspak se janë një kundërshtar i lehtë.
A do të bëni rotacion në formacion?
Do të punojmë fort dhe më pas do të vendosim. Duhet të mendojmë për këtë ndeshje dhe për ato që vijnë, por më e rëndësishmja tani është përballja me Las Palmas.
Gjasat janë që në finale të Champions League mund të përballeni me Real Madridin…
Së pari duhet të arrijmë në finale. Ky është objektivi, por kemi ende shumë rrugë për të bërë. Fillimisht duhet të përballemi me Benfica, që është një skuadër shumë e mirë.
Ju e dini tashmë se Barcelona ka një rivalitet të përjetshëm me Real Madridin…
Real Madridi është një ekip shumë i fortë, një nga më të mirët. Ka lojtarë të mëdhenj. Në çdo ndeshje duhet të tregojmë sa të fortë jemi. Jemi të pandalshëm, por kemi ende shumë punë për të bërë.
Bellingham është pezulluar pas kartonit të kuq dhe ofendimit ndaj gjyqtarit…
Nuk kam asgjë për të thënë. E kam thënë tashmë në konferencën e fundit se ai është një lojtar i madh, një nga më të mirët në rolin e tij. Nuk është lojtari im. Dua që lojtarët e mi të punojnë në fushë ashtu siç dua unë.
Çfarë mendoni për arbitrat?
Mendoj se gjithmonë kërkojmë justifikime dhe, nëse humbasim, fajin ia vëmë arbitrit. Të gjithë mund të gabojnë, përfshirë arbitrat. Duhet t’i mbrojmë ata, sepse pa ta nuk mund të luajmë. Duhet të luajmë më mirë për të fituar, kjo është më e rëndësishmja.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





