Transmetuar më 21-02-2025, 22:55

Klubi i Futbollit Partizani ka shkarkuar trajnerin serb Aleksandar Veselinović, pas serisë së rezultateve zhgënjyese, duke kulmuar me humbjen e fundit kundër Bylisit në shtëpi.

Me gjashtë ndeshje radhazi pa fitore dhe një performancë të dobët, drejtuesit e klubit vendosën të marrin këtë masë drastike. Në njoftimin zyrtar, Partizani theksoi se rezultatet e fundit ishin të papranueshme dhe ekipi nuk tregoi lojën dhe karakterin e kërkuar.

Deklarata e klubit: "Klubi i Futbollit Partizani njofton përfundimin e bashkëpunimit me trajnerin Aleksandar Veselinović për shkak të rezultateve të dobëta. Vendimi i marrë pas humbjes së sotme, bazohet tek rezultatet e papranueshme të kohëve të fundit, dhe mbi të gjitha në mungesën e lojës dhe karakterit që ekipi shprehu në fushën e blertë. Trajnerit Veselinović i urojmë suksese në karrierën e tij të mëtejshme."

Në të njëjtin njoftim, Partizani konfirmoi se ekipi do të vijojë përgatitjet me përqendrim maksimal për sfidat e ardhshme në Kupë dhe Kampionat, me synimin për ta rikthyer klubin në krye të futbollit shqiptar.

Aktualisht, Partizani ndodhet në vendin e katërt të renditjes me 40 pikë pas 26 ndeshjeve, ndërsa drejtuesit pritet të emërojnë së shpejti trajnerin e ri.

Për zhvillime të mëtejshme, qëndroni të informuar!

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit