

Përditësim i drejtpërdrejtë
Një alarm për bombë ka ardhur në një shkollë private në Tiranë, raporton noa.al, alarm që më vonë rezultoi se ishte i rremë, ndërsa shkaktoi një situatë pasigurie për rreth një orë.
Policia e Tiranës tha për noa.al se në email të një shkolle kishte shkuar një informatë me postë elektronike në orën 11.30 të datës 21 shkurt 2025 ku pretendohej se do të vendosej bombë për 43 minuta.
Aktualisht ka shkuar policia, forcat xheniere kontrolluan gjithçka dhe janë në gatishmëri, tha policia.
Noa.al konfirmon se shkolla është Turgut Ozal, kolegji privat me shkollë 9 vjeçare dhe gjimnaz që ndodhet në Tiranë.
Në shkollë, siç raportohet nga Noa.al, ka momentalisht një klimë pasigurie.
Prindërit e të gjithë nxënësve janë njoftuar me telefon se një alarm për bombë ka mbërritur pranë tyre.
Kjo ka bërë që shumë familjarë të rendin drejt shkollës dhe aktualisht aty ka shumë prindër si dhe forca policie që e kanë rrethuar.
Në këto momente nga burime të Policisë së Shtetit, për noa.al, konfirmohet se emaili ku u dha alarmi është fals.
Reagon shkolla
Rreth orës 13.24 shkolla “Turgut Ozal” lëshoi një njoftim për "të gjithë prindërit, nxënësit dhe dashamirët", duke informuar se "situata është nën kontroll, e qetë dhe në bashkëpunim të plotë me policinë e shtetit".
Shkolla thotë gjithashtu se "janë marrë të gjitha masat e sigurisë sipas protokollit në raste emergjence, pavarësisht se lajmi rezultoi i rremë".
"Falënderojmë policinë e shtetit për gadishmërinë dhe profesionalizmin! Falënderojmë të gjithë stafin e shkollës si dhe prinderit tane për korrektësinë dhe bashkëpunimin!", mbyllet njoftimi.
Çfarë tha policia
Në një komunikatë që lëshoi policia para pak tha se sot rreth orës 11:30, është marrë njoftim se në adresën e shkollës private në zonën e Misto-Mames, ka ardhur e-mail i shkruar anglisht në të cilin thuhej se në ambientet e shkollës ishte vendosur një bombë, e cila do të shpërthente për 43 minuta.
Shërbimet e Policisë dhe Njësia Antieksploziv kanë shkuar menjëherë në vendngjarje ku kanë bërë evakuimin e nxënësve dhe stafit të shkollës.
Vijon kryerja e kontrollit dhe verifikimeve përkatëse nëse njoftimi është i rremë.
Shërbimet e Policisë, strukturat e Antiterrorit në bashkëpunim me specialistët për Hetimin e Krimit Kibernetik po punojnë për sqarimin e rrethanave dhe identifikimin e autorëve.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





