

Tiranë, 21 shkurt 2025 – Policia e Tiranës ka goditur një grup kriminal që dyshohet se shiste armë zjarri në Tiranë, në Fushë Krujë dhe në Thumanë. Gjatë operacionit të koduar “Heliks”, janë vënë në pranga dy persona, ndërsa janë shpallur në kërkim dy të tjerë.
Sipas njoftimit të policisë, grupi i dyshuar ishte aktiv në tregtimin e armëve të zjarrit, duke i shitur ato me çmime që varionin nga 1 mijë deri në 1,500 euro për kallashnikovët dhe nga 1,500 deri në 2 mijë euro për pistoletat. Armët që do shiteshin dyshohet të jenë të vjetra, por do të dërgohen për ekzaminim për të parë nëse janë përdorur në ngjarje të tjera kriminale.
Në kuadër të këtij operacioni janë sekuestruar 3 armë zjarri kallashnikov, 2 armë zjarri pistoletë dhe municion luftarak. Hetimet intensive janë realizuar nga Seksioni për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme, në bashkëpunim me Forcën Operacionale të DVP Tiranë dhe nën drejtimin e Prokurorisë, të cilat kanë çuar në finalizimin e operacionit dhe arrestimin e shtetasve:
Fatjon Kodra, 18 vjeç Elton Kaci, 49 vjeç, banues në Tiranë Gjithashtu, janë shpallur në kërkim shtetasit:
Florjan Aliu, 28 vjeç Enea Zira, 28 vjeç Hetimet vazhdojnë për dokumentimin e plotë të veprimtarisë kriminale të këtij grupi dhe për identifikimin dhe kapjen e të tjerëve që mund të jenë të përfshirë në këtë aktivitet të paligjshëm.
Njoftimi i policisë:
Finalizohet operacioni policor i koduar “Heliks”, si rezultat i hetimeve të kryera me metoda proaktive në kuadër të një procedimi penal për goditjen e veprimtarisë kriminale të shitjes së armëve të zjarrit.
Goditet një grup që ushtronte këtë veprimtari kriminale. Vihen në pranga 2 pjesëtarë të grupit, shpallen në kërkim 2 të tjerë.
Parandalohet një rast i shitjes së armëve të zjarrit, nga ky grup. Sekuestrohen 3 armë zjarri kallashnikov, 2 armë zjarri pistoletë dhe municion luftarak, që dyshohet se do të shiteshin në Tiranë dhe në Krujë.
Si rezultat i veprimeve intensive hetimore të kryera me metoda proaktive, në kuadër të një procedimi penal të nisur për goditjen e veprimtarisë kriminale të shitjes së armëve të zjarrit, Seksioni për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme, në bashkëpunim me Forcën Operacionale të DVP Tiranë, në drejtimin e Prokurorisë, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor “Heliks”, si rezultat i të cilit u ndaluan shtetasit:
F. K., 18 vjeç dhe E. K., 49 vjeç, banues në Tiranë. Gjithashtu u shpallën në kërkim shtetasit F. A., 28 vjeç dhe E. Z., 28 vjeç.
Nga veprimet hetimore dyshohet se këta shtetas, të organizuar si grup, shitnin armë zjarri në Tiranë, në Fushë Krujë dhe në Thumanë.
Vijojnë hetimet në drejtimin e Prokurorisë, për dokumentimin e plotë të veprimtarisë kriminale të këtyre shtetasve, identifikimin dhe kapjen e shtetasve të tjerë të përfshirë.
Gjithashtu, vijon puna për kapjen e 2 shtetasve të shpallur në kërkim për këtë rast.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





