Transmetuar më 21-02-2025, 11:28

Mitrovicë, 21 shkurt 2025 – Policia e Kosovës ka zhvilluar një aksion në veri të Mitrovicës, ku janë mbyllur dy qendra ilegale. Zëvendësdrejtori i Policisë për Mitrovicën veriore, Veton Elshani, njoftoi se ky aksion lidhet me arrestimet që u realizuan vetëm një ditë para zgjedhjeve parlamentare në Kosovë.

Sipas Elshanit, dyshohet se në këto qendra ilegale, që funksiononin si zyra për punë sociale, janë thirrur qytetarë të ndryshëm në telefon dhe janë kërcënuar që të votojnë për një parti politike të caktuar, duke u kushtëzuar ndihmat sociale me votën e tyre. Ky aktivitet është cilësuar si një shkelje e rëndë ligjore, për shkak të përdorimit të kërcënimit dhe ndikimit në procesin zgjedhor.

"Pas një hetimi të detajuar, ne njoftuam Prokurorinë Themelore në Mitrovicë, e cila ka miratuar kërkesën tonë për kontrollin e këtyre qendrave, në mënyrë që të sigurohen prova të cilat do të vërtetojnë mënyrën e veprimit të këtyre subjekteve të dyshuara," deklaroi Elshani.

Prokuroria Themelore në Mitrovicë ka dhënë miratimin dhe kërkesa për një urdhër kontrolli është aprovuar nga Gjykata. Pas kryerjes së kontrollit të këtyre qendrave, rezultatet do t’u dërgohen prokurorëve, të cilët do të vendosin për hapat e mëtejshëm në këtë çështje.

Ky aksion ka lidhje me katër arrestimet që u realizuan më 8 shkurt, një ditë para zhvillimit të zgjedhjeve në Kosovë. Hetimet vazhdojnë për të zbardhur plotësisht këtë ngjarje dhe për të marrë masa ligjore ndaj atyre që janë përgjegjës.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit