Magazinë
Transmetuar më 21-02-2025, 10:26

Finalizohet operacioni "Cleaning 2", goditen veprimtaritë kriminale të drogës dhe vjedhjeve. Droga u shitej fëmijëve nëpër shkolla

DURRËS – Policia e Durrësit ka arritur të përmbyllë operacionin policor të koduar "Cleaning 2", i cili synonte goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e narkotikëve dhe të vjedhjeve.

Si rezultat, 6 persona janë arrestuar, një 17-vjeçar është shpallur në kërkim, ndërsa një tjetër shtetas është proceduar penalisht në gjendje të lirë, raporton noa.al.

Të arrestuarit dhe veprat penale

Të arrestuarit në kuadër të operacionit “Cleaning 2” janë Fabion Masha, Ahmet Isufi, Lulzim Rubjeka, Alin Gjuzi, Sentiljano Selami dhe Fation Xhezairi.

Policia njoftoi zyrtarisht listën e të prangosurve:

Fabion Masha, 27 vjeç, banues në Shijak, i shpallur më herët në kërkim për "Prodhimi dhe shitja e narkotikëve" dhe "Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit". Gjatë kontrollit, atij iu gjetën 46 gramë kanabis, disa doza droge dhe një peshore elektronike.

Ahmet Isufi, 34 vjeç, banues në Shijak, në kërkim për "Vjedhje në bashkëpunim".

Lulzim Rubjeka, 46 vjeç, banues në Shijak.

Alin Gjuzi, 38 vjeç, banues në Durrës.

Sentiljano Selami, 21 vjeç, banues në Manzë, të cilit iu gjet një sasi kanabisi që e shpërndante pranë shkollave.

Fation Xhezairi, 40 vjeç, banues në Durrës, i cili posedonte doza kokaine dhe kanabisi, që i shiste në lagjet e qytetit.

Po ashtu, E. Sh., 36 vjeç, banues në Kavajë, pronari i një dyqani, është proceduar në gjendje të lirë, pasi kishte blerë shezlongë të vjedhur nga këta shtetas.

Ndërkohë, një 17-vjeçar nga Durrësi është shpallur në kërkim, pasi dyshohet si bashkëpunëtor në vjedhje.

Si funksiononte skema e vjedhjeve?

Sipas hetimeve, F. M. dhe A. I., në bashkëpunim me L. R., A. Gj. dhe 17-vjeçarin, kanë vjedhur çadra plazhi dhe 94 shezlongë nga një lokal në Sektor Rinia, në datat 15 dhe 18 shkurt. Këto sende më pas janë shitur në dyqanin e shtetasit E. Sh., në Kavajë.

Provat e sekuestruara

Në kuadër të operacionit, u sekuestruan:

60 gramë kanabis dhe disa doza të kësaj lënde, Doza kokaine, 1 peshore elektronike, 6 celularë, 94 shezlongë të vjedhur

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë së Durrësit për veprime të mëtejshme, ndërsa hetimet vijojnë për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë aktivitet kriminal. /noa.al

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit