






















Tiranë, 21 shkurt 2025 – Seanca gjyqësore për divorcin mes presidentit të Partisë së Lirisë, Ilir Meta dhe deputetes Monika Kryemadhi do të zhvillohet sot në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë në orën 10:30.
Mësohet se Meta pritet të mos paraqitet në gjykatë pasi ndodhet në burg prej disa javësh tashmë.
Meta njoftoi në qershor se ka nisur procedurat e divorcit nga bashkëshortja e tij, Monika Kryemadhi, pas 26 vitesh martesë.
Gjithashtu, u raportua se Meta disa muaj para se të niste procedurën e divorcit, nuk ka jetuar më në shtëpinë e familjes.
Në kërkesën për divorc, ai ka paraqitur si adresë personale, atë të Partisë së Lirisë.

Tronditja e marrëdhënieve mes tyre u shpërfaq dhe publikisht, kur riformatimi i strukturave drejtuese të Partisë së Lirisë e la jashtë Kryemadhin.
Të dy kanë shkëmbyer polemika gjatë mbledhjeve të forumeve drejtuese të Partisë.
Meta dhe Kryemadhi përfaqësojnë një rast të rrallë në Shqipëri, atë të një çifti me angazhim të lartë politik.
Rrugëtimi i tyre nisi që kur ata ishin në drejtimin e organizatës rinore socialiste FRESH, dhe vazhdoi më pas në gjirin e familjes socialiste deri në vitin 2004, kur të dy, së bashku me një grup tjetër socialistësh, u shkëputën dhe themeluan Lëvizjen Socialiste për Integrim.
Një parti e drejtuar nga Meta, ku Kryemadhi mbajti funksione të larta në hierarkinë e kësaj force politike. Pas zgjedhjes së Metës president të Republikës, Kryemadhi mori frenat e partisë në vitin 2017.
Dy ditë pas përfundimit të mandatit si Kryetar Shteti, në korrik të 2022, Meta rimori drejtimin e LSI-së, duke i ndërruar asaj edhe emrin në Partia e Lirisë.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





