

Arrestohet në Mbretëri të Bashkuar një shtetas shqiptar i kërkuar për kultivim droge dhe armëmbajtje pa leje
Një tjetër operacion është finalizuar nga Policia e Shtetit, në bashkëpunim me autoritetet britanike dhe përmes Interpol Tiranës, për ndalimin e një shtetasi shqiptar të shpallur në kërkim ndërkombëtar.
Në Mbretëri të Bashkuar u arrestua Bekim Çelaj, 25 vjeç, lindur në Tropojë, raporton noa.al.
I riu ishte shpallur në kërkim nga autoritetet shqiptare për veprat penale “Kultivimi i bimëve narkotike” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.
Gjykata në vitin 2022 i kishte caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg” për këto vepra penale.
Më 11 prill 2022 në Tropojë u krye operacioni policor i koduar "Sofistikimi". Dy persona, kishin instaluar kamera dhe granata gati për shpërthim, në parcelën ku kishin kultivuar bimë narkotike
Atëherë u kap dhe u vu në pranga njëri nga autorët e dyshuar, Agron H. 51 vjeç dhe u shpall në kërkim i dyshuari tjetër, Bekim Çelaj që policia jonë njoftoi sot se u kap në Angli.
Këta shtetas ishin të dyshuar si autorë edhe të një rasti tjetër të kultivimit të bimëve narkotike, në vitin 2020.
Çfarë u zbulua në Kovaç
Policia e Tropojës kishte marrë të dhëna dhe punoi për identifikimin e autorëve të kultivimit të bimëve narkotike, në pyllin e fshatit Kovaç.
Pas punës hetimore, në bashkëpunim me Institutin e Policisë Shkencore në Tiranë, u bë i mundur identifikimi i autorëve.
Bazuar në provat e siguruara, më datë 10 prill 2022, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tropojë ka caktuar ndaj këtyre shtetasve, masën e sigurisë "Arrest në burg", në mungesë, për veprat penale "Kultivimi i bimëve narkotike" dhe "Mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe e municionit", të kryera në bashkëpunim.
Në zbatim të vendimit të gjykatës u organizua dhe u finalizua me sukses operacioni policor i koduar “Sofistikimi”, si rezultat i të cilit u bë kapja dhe ndalimi i shtetasit Agron H., 51 vjeç, banues në fshatin Kovaç dhe shpallja në kërkim e bashkëpunëtorit të tij, Bekim açelaj atëherë 22 vjeç, banues në fshatin Kovaç.
Bazuar në provat e siguruara, rrezulton se këta shtetas, më datë 28 shtator 2021, në pyllin e fshatit Kovaç, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë kultivuar bimë narkotike, përreth të cilave kishin lidhur me fill sintetik 2 granata ofensive, si dhe kishin vendosur kamera, për të monitoruar zonën.
Gjithashtu, këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, dyshohen se në muajin korrik të vitit 2020, kanë kultivuar bimë narkotike, në fshatin Hoxhaj. Për këtë rast ishte regjistruar procedimi penal në Prokurori.
Interpol Tirana tha se vijon bashkëpunimin me homologët britanikë për përfundimin e procedurave të ekstradimit të tij në Shqipëri. /noa.al
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





