

Një ovacion i merituar në “Santiago Bernabéu” për një paraqitje madhështore, sepse Kylian Mbappé shkëlqeu si protagonist absolut ndaj Manchester City, duke vulosur kualifikimin e Real Madridit në 1/8 e Champions League me “tripletë” spektakolare golash. Francezi 26-vjeçar, në sezonin e tij të parë me "Los Blancos", ka regjistruar 30 gola dhe asiste deri më tani, ndërsa në karrierë numëron 358 gola dhe 142 asiste, sipas të dhënave të OPTA. Një talent i lindur.
Ka nga ata që e krahasojnë tashmë me një ikonë të historisë së Real Madridit si Cristiano Ronaldo. Në lidhje me këtë, trajneri Carlo Ancelotti u shpreh qartë: "Mbappé ka shumë cilësi dhe mund të arrijë cilësinë e Cristianos. Sidoqoftë, Ronaldo e ka vendosur stekën shumë lart. Mbappé sapo ka filluar te Real Madridi, ka entuziazëm…, por nuk do të jetë aq e lehtë për të që ta arrijë nivelin e Ronaldos, duhet të punojë shumë".
Pas përfundimit të ndeshjes dhe pasi u shpall “MVP” i UEFA-s për mbrëmjen, Mbappé foli për “CBS Sports Golazo”, duke dhënë një mesazh të qartë: "Nuk erdha këtu për të luajtur keq, por për të luajtur mirë. Dua të lë gjurmë dhe të shkruaj historinë e Real Madridit. Duhet të luaja me personalitet, periudha e adaptimit ka përfunduar dhe tani duhet të tregoj cilësitë e mia".
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





