Magazinë
Transmetuar më 20-02-2025, 22:20

Financial Times: Kërkesa e Moskës gjatë bisedimeve në Riad u refuzua, por aleatët kanë frikë se Donald Trump mund të lejojë rivendosjen e ish-bllokut sovjetik

Rusia ka përdorur raundin e parë të bisedimeve me SHBA-në për përfundimin e luftës në Ukrainë për të kërkuar tërheqjen e forcave të NATO-s nga Europa Lindore, duke ngjallur shqetësime në kryeqytetet europiane se administrata Trump mund të pranojë këtë kërkesë për një marrëveshje paqeje. Të përfshira në këtë kërcënim janë edhe Shqipëria dhe Kosova, vende që bëjnë pjesë në aleancën ushtarake.

Cristian Diaconescu, shefi i shtabit të presidentit rumun dhe këshilltar për sigurinë kombëtare, tha se kërkesa e Moskës u refuzua gjatë bisedimeve në Riad, por shprehu shqetësimin se nuk kishte garanci që Uashingtoni nuk mund të bëjë lëshime për të kënaqur kërkesat e Vladimir Putinit.

“Mesa kuptoj unë, situata mund të ndryshojë nga ora në orë ose nga dita në ditë,” tha Diaconescu për televizionin Antena3, duke u referuar kritikave të ashpra të Donald Trump ndaj udhëheqësit ukrainas dhe disa lëshimeve të bëra ndaj Rusisë para bisedimeve.

Ndërkohë, një dështim i bisedimeve mes delegacionit rus dhe amerikan ka ndodhur, por zyrtarët europianë kanë theksuar se liderët e Mbretërisë së Bashkuar dhe Francës, që do të vizitojnë Uashingtonin javën e ardhshme, do të përpiqen të bindin Trump të mos bëjë lëshime për Rusinë.

Për më tepër, lëshimet e mundshme ndaj Moskës nga administrata Trump në ditët e fundit – nga përjashtimi i anëtarësimit të Ukrainës në NATO, deri te premtimi për normalizimin e marrëdhënieve me Rusinë – po krijojnë një ndjenjë të brengosjes në shtetet lindore të Europës.

Rusia ka kërkuar prej kohësh rivendosjen e sferës së saj të ndikimit në Europën Lindore, duke u mbështetur në një marrëveshje të arritur pas Luftës së Dytë Botërore, në konferencën e paqes në Jaltë, ku aleatët e Perëndimit dhe Bashkimi Sovjetik ndanë territorin europian.

Një nga kërkesat më të rëndësishme të Putinit ka qenë tërheqja e forcave të NATO-s nga vendet që ishin pjesë e ish-Bllokut Sovjetik, dhe që iu bashkuan aleancës në fund të viteve 1990.

Përfaqësuesi i Rumanisë, Ilie Bolojan, u shpreh i shqetësuar se çdo marrëveshje sigurie që prek rajonin duhet të përfshijë të gjitha shtetet europiane, duke theksuar nevojën për një mbështetje të fortë ndaj sigurisë kolektive.

"Situata është jashtëzakonisht e ndërlikuar dhe serioze," tha Diaconescu. “Mund të vini bast se ne do të luftojmë deri në minutën e fundit për të parandaluar që kjo të ndodhë.”

Në fund, analisti rumun i mbrojtjes, Valentin Mateiu, paralajmëroi për një mundësi historike të kthimit të Europës në periudhën e pas Luftës së Dytë Botërore, duke u referuar gjithashtu marrëveshjes së Mynihut të vitit 1938, ku pas një lëshimi ndaj Hitlerit, Europa nuk arriti të ndalonte Luftën e Dytë Botërore.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit