

Kryeministri Edi Rama në takim sot me punonjësit e Bashkisë së Tiranës në sheshin “Skënderbej”, bëri një paralelizëm mes transformimit të Tiranës dhe Reformës në Drejtësi.
"Ashtu siç e transformuam Tiranën nga një ferr mbi tokë në një qytet evropian, me vizion dhe kurajo, ashtu do ta transformojmë edhe drejtësinë në Shqipëri.
Siç shembëm ngrehinat që kishin varrosur parqet, po shembim edhe arkitekturën e vjetër të drejtësisë me Reformën dhe Vetingun," deklaroi ai.
Rama akuzoi kundërshtarët politikë për pengesa ndaj reformave. "Ashtu siç na u kundërvunë me dhunën e injorancës për ndërtimin e hyrjes moderne te Zogu i Zi dhe Sheshit Skënderbej, sot duan të rrënojnë edhe Reformën në Drejtësi, SPAK-un dhe luftën tonë kundër korrupsionit," tha ai.
Ai shtoi se edhe drejtësia, ashtu si çdo sektor tjetër, nuk është e pagabueshme. "Kush punon shumë, gabon! Dhe organet e drejtësisë nuk mund të jenë të pagabueshme. Të kërkosh nga një drejtësi e re me pak vite pavarësi dhe kulturë evropiane të mos gabojë, është si të hedhësh një fëmijë në ujë dhe t’i thuash mos u lag," theksoi Rama.
Thirrje për durim dhe vazhdim të reformave
Kryeministri u shpreh se ndarja me pandëshkueshmërinë 100-vjeçare ka një kosto politike, morale dhe njerëzore, por është e nevojshme për një Shqipëri të drejtë. "Nëse duam që Shqipëria e nesërme të jetë e drejtë dhe e barabartë për të gjithë, duhet të shtrëngojmë dhëmbët dhe të vazhdojmë të luftojmë," u shpreh ai.
Në fund, Rama tha se nuk i takon atij të shpallë Veliajn të pafajshëm apo fajtor, por drejtësia duhet të bëjë punën e saj me dinjitet dhe transparencë. "Barrën e opinionit tim do ta mbaj unë, por barrën tuaj si punonjës të bashkisë është që makineria e Tiranës të mos ndalojë asnjë minutë," përfundoi ai.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





