Transmetuar më 21-02-2025, 08:13

Ndërkohë që Keylor Navas po përjeton ditët më të vështira të karrierës së tij, tashmë te Neëell’s, problemet me drejtësinë po i shtohen kudo që shkel. Në Kosta Rika, Francë, Spanjë…, nuk ka vend ku ai ka qenë dhe nuk është përballur me ndonjë padi apo proces gjyqësor.

Gjithçka nisi në Kosta Rika, ku ai dhe gruaja e tij u paditën më 2020 për një konflikt që përfshinte franshizën “Electro Body Center”, një sistem elektro-stimulimi që ish-portieri i PSG dhe Real Madridi dërgoi në vendin e tij të lindjes. Biznesi nuk shkoi siç pritej dhe, kur u tërhoq prej tij, la pas probleme teknike që përfunduan në gjykatë me një kërkesë për 150.000 dollarë dëmshpërblim.

Më pas, telashet vazhduan në Francë, ku verën e kaluar një punonjës e paditi, duke e akuzuar se e mbante pa kontratë dhe e strehonte në një bodrum të lagësht pa dritare. “Jemi në kufijtë e një çështjeje penale, me fakte që mund të konsiderohen si skllavëri moderne”, – deklaroi avokati i viktimës, duke paraqitur një video si provë. Në këtë video, Navas iu përgjigjej ankesave të punëtorit duke thënë: "Këtu nuk punojmë me ligjet franceze. Pa kontratë franceze, të paguaj në dorë. Punohet sipas rregullave të mia".

Padia më e fundit ndaj Keylor Navas doli në dritë në Madrid, ku prishi në mënyrë të njëanshme kontratën me “Breathe Football”, agjencinë e tij të vjetër të menaxhimit të drejtuar nga Ricardo Cabañas. Në janar 2024, Gjykata e Shkallës së Parë Nr. 34 në Madrid e dënoi atë me 250.000 euro gjobë, plus interesa vonese, për prishjen e kontratës që ishte nënshkruar në shtator 2015.

“Breathe Football” kërkoi që Navas të paguante vitin e fundit të marrëveshjes, diçka që ai nuk e bëri, dhe çështja përfundoi me vendimin gjyqësor kundër tij. Navas e ka apeluar vendimin, ndërsa një tjetër proces gjyqësor ndaj tij në Madrid është ende i hapur.

Problemet e tij me ligjin nuk kufizohen vetëm në çështje financiare apo personale. Keylor Navas është përballur edhe me gjykatën në Kosta Rika, pasi disa drejtues të federatës së futbollit atje e akuzuan se kishte kërcënuar të humbiste ndeshje me qëllim, nëse trajneri Jorge Luis Pinto nuk shkarkohej.

"E vetmja gjë që më tha presidenti i federatës ishte që, nëse do të vazhdoja si trajner, lojtarët do të humbnin tri ndeshje me qëllim për të më larguar", – deklaroi Pinto, i cili më pas u shkarkua pas Botërorit 2014 në Brazil.

Ish-portieri i Real Madridit dhe PSG-së vazhdon të jetë nën hetim dhe në shënjestër të autoriteteve në disa vende. Ndërsa karriera e tij po i afrohet fundit, problemet ligjore duket se po bëhen më të mëdha se çdo sukses që ka arritur në fushën e lojës.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit