Transmetuar më 20-02-2025, 12:10

Të gjithë futbollistët ëndërrojnë të fitojnë një Champions League. Mistika e kompeticionit më elitar europian është e pakrahasueshme me asnjë titull tjetër në rang klubesh dhe kjo reflektohet në intensitetin e çdo dueli, përplasjeje, pasimi…

Edhe pse shumë nga lojtarët më të mirë në histori kanë disa Champions të fituar në “palmaresin” e tyre, të tjerë nuk ia kanë dalë dot. Një nga shembujt më të spikatur në këtë drejtim, fatkeqësisht, është Ronaldo Nazario. Legjenda braziliane e futbollit nuk ka fituar dot asnjë Champions League, as ka arritur në finale.

Ish-sulmuesi brazilian ka dy La Liga, dy Superkupa të Spanjës dhe dy Superkupa Europiane, një Kupë Interkontinentale, një Kupë të Fituesve të Kupave, një Kupë Mbreti, dy Kupa Brazili, një Kupë Holandeze dhe një Kupë UEFA me klubet që ka luajtur në karrierë. “Stacioni” më i largët që Ronaldo shkoi në Champions League ishte gjysmëfinalja me Real Madridin në vitin 2003. Në karrierën e tij, “Fenomeni” luajti 42 ndeshje në Champions League, në të cilat shënoi 16 gola dhe dha 10 asiste.

Një tjetër yll futbolli, që gjithashtu nuk luajti në asnjë finale të Ligës së Kampionëve, ishte Ibrahimovic. Suedezi, i cili luajti në katër nga pesë ligat kryesore evropiane (Spanjë, Itali, Francë dhe Angli), luajti vetëm në një gjysmëfinale me Barçën, në vitin 2010, ku skuadra katalanase humbi kundër Interit. Ai fitoi “Europa League” me Manchester United.

Një nga rastet e tjera më të spikatura në këtë drejtim është Gianluigi Buffon, i cili ka luajtur në tri finale të Champions League, të cilat i humbi kundër Milanit në vitin 2003, me penallti, si dhe më 2015 e 2017, kur u mund nga ekipet spanjolle. Në rastin e parë “xhelati” i tij ishte Barça e Luis Enrique, ndërsa në vitin 2017 ishte Real Madridi i Zidane.

Portieri italian konsiderohet si një nga më të mirët në histori, por Champions League nuk figuron si trofe i fituar në “palmaresin” e tij. Prestigjiozja sportive spanjolle “Marca” ka hartuar listën e mëposhtme me 15 futbollistët e mëdhenj, që nuk patën fatin ta fitonin kurrë “kupën veshëgjatë”, sikurse njihet ndryshe në zhargon trofeu i Champions League, në karrierën e tyre:

Diego Maradona – "El Pelusa" konsiderohet një nga futbollistët më të mirë të të gjitha kohërave. Argjentinasi, i cili luajti për Barcelonën, Napolin dhe Sevilla në Europë, nuk e fitoi kurrë Ligën e Kampionëve (dikur, Kupën e Europës).

Ronaldo Nazário – "Fenomeni" ka luajtur në ekipe të mëdha si PSV, Barcelona, Inter, Real Madrid dhe Milan. Ylli brazilian, fitues i dy “Topave të Artë”, ishte një nga golashënuesit më të mëdhenj në skenën ndërkombëtare.

Roberto Baggio – Sulmuesi italian, fitues i një “Topi të Artë”, ishte një nga lojtarët më të talentuar në historinë e futbollit. Ai ka luajtur për Fiorentinën, Juventusin, Milanin dhe Interin. Më 1993 humbi finalen e Champions-it ndaj Borussia Dortmundit me Juventusin.

Zlatan Ibrahimović – Suedezi ka kaluar në klube të mëdha si Ajax, Juventus, Inter, Barcelona, Milan, PSG dhe Manchester United. Bashkë me Buffon, është lojtari me më shumë ndeshje në Champions League (124), pa e fituar dot trofeun.

Gianluigi Buffon – Portieri italian, një nga më të mirët në histori, luajti tri finale të Ligës së Kampionëve me Juventusin: 2003 (kundër Milanit), 2015 (kundër Barcelonës) dhe 2017 (kundër Real Madridit). Ai u tërhoq në vitin 2023 nga futbolli në moshën 45-vjeçare.

Francesco Totti – Fantazisti italian, një nga të paktët "one-club man" në futboll, ishte kapiteni dhe simboli i Romës. Ai fitoi një Kupë Bote, një titull të Serie A dhe dy Kupa të Italisë, por kurrë nuk kaloi çerekfinalet e Champions-it.

Sergio Agüero – Sulmuesi argjentinas, i cili ka luajtur për Atletico Madrid, Manchester City dhe Barcelonën, shënoi 39 gola në Champions League gjatë kohës së tij me City.

Ruud van Nistelrooy – Sulmuesi holandez është golashënuesi i shtatë më i mirë në historinë e Champions-it (56 gola), i barazuar me Thomas Müller. Ai është lojtari me më shumë gola, pa e fituar kurrë trofeun.

Thierry Henry – Sulmuesi francez është një nga legjendat më të mëdha të Arsenalit. Në mars 2002, kundër Newcastle, ai shënoi një nga golat më të bukur në historinë e Premier League.

Gabriel Batistuta – Sulmuesi argjentinas, i dyti më i mirë në historinë e kombëtares së tij për nga golat, nuk arriti kurrë ta kalonte fazën e grupeve të Champions-it me Romën apo Fiorentinën.

 

Lothar Matthäus – Mesfushori legjendar gjerman, fitues i Kupës së Botës dhe “Topit të Artë”, do ta mbajë mend gjithmonë natën fatale të “Camp Nou” më 1999, kur Manchester United përmbysi Bayern Munich në finalen e Champions-it.

Romário – Braziliani, i cili bëri emër në Europë me PSV-në dhe Barcelonën e Johan Cruyff, humbi finalen e Champions-it në vitin 1994 kur Milani i Fabio Capellos e mundi Barçën 4-0.

George Weah – Liberiani, i pari dhe i vetmi afrikan që ka fituar “Topin e Artë”, e udhëhoqi PSG-në deri në gjysmëfinalet e Champions-it më 1995 falë 7 golave të tij në kompeticion.

Michael Ballack – Gjermani humbi dy finale të Champions-it. E para ishte më 2002 kundër Real Madridit, ku Zidane shënoi me një “volej” të famshëm. Më 2008, ai humbi sërish me Chelsea kundër Manchester United, me penallti.

Cesc Fàbregas – Mesfushori spanjoll, aktualisht trajner i Como 1907, humbi finalen e Champions-it më 2006 me Arsenalin kundër Barcelonës. Me Spanjën, ai fitoi Kupën e Botës 2010 dhe Kampionatet Europiane të 2008 dhe 2012.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit