Transmetuar më 20-02-2025, 10:20

Tiranë, 20 Shkurt 2025 – Kryeministri Edi Rama ka njoftuar se do të mbledhë punonjësit e Bashkisë Tiranë në orën 16:30 të së enjtes në Sheshin "Skënderbej". Pritet që të marrin pjesë rreth 6 mijë punonjës, përfshirë edhe drejtoritë e bashkisë.

Pas këtij takimi, Rama do të zhvillojë një tjetër takim me këshilltarët e majtë të Bashkisë së Tiranës, që do të nisë në orën 17:30.

Në një komunikim më herët në rubrikën "Sy më sy" në Facebook, kryeministri ka komentuar arrestimin e kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, nga SPAK. Ai ka shprehur mbështetje për punën e SPAK, por ka kritikuar disa praktika, duke thënë se janë shkatërruar jetët e individëve për "budallallëk profesional".

"SPAK ka të mira, por edhe anë negative. Kur shkatërrohet jeta e një njeriu për një gabim profesional është tepruar. Nuk mund të hetojmë me metodat e Sigurimit të Shtetit. Duam drejtësi të pavarur dhe me standarde europiane," tha Rama. Ai gjithashtu shtoi se duhet të luftojmë për drejtësi profesionale dhe se nuk duhet të ndërhyjmë në punën e njëri-tjetrit, duke theksuar se çdo njeri duhet të bëjë punën e vet.

Rama ka theksuar gjithashtu se është e rëndësishme që drejtësia të ketë mbështetje të fuqishme dhe të veprojë pa u penguar nga politikat e ndryshme.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit