Magazinë
Transmetuar më 19-02-2025, 21:43

Ligj i ri me porosi për të çregjistruar shqiptarët nga vendbanimet e tyre

Një skemë e re administrative e zbatuar nga autoritetet serbe po përdoret për të realizuar spastrimin etnik të shqiptarëve në Luginën e Preshevës, duke i zhdukur ata nga regjistrat shtetërorë dhe duke u mohuar të drejtat qytetare.

Sipas përfaqësuesve të Këshillit Nacional për Medvegjën, mekanizmi i përdorur për çregjistrimin e shqiptarëve bazohet në raporte të rreme, të hartuar nga struktura të kontrolluara direkt nga qeveria e Beogradit. Përmes këtyre raporteve, autoritetet serbe pretendojnë se shqiptarët nuk banojnë më në adresat e tyre të regjistruara, duke i fshirë ata nga regjistrat civilë.

"Një efektiv i thjeshtë i policisë mund të hartojë një raport ku thuhet se një qytetar nuk jeton më në adresën e tij dhe ajo merret si bazë ligjore për ta çregjistruar nga sistemi," shprehet Arben Ferati, përfaqësues i Këshillit Nacional për Medvegjë.

Përveç kësaj, ligji i ri i Serbisë ka krijuar procedura të qëllimshme burokratike, duke vështirësuar përcaktimin e vendbanimit të përhershëm për shqiptarët. Kjo përfshin kërkesa për të dëshmuar lidhje profesionale, ekonomike dhe sociale me adresën e regjistruar, të cilat rrëzohen përmes raporteve të falsifikuara nga autoritetet serbe.

Pasojat më të rënda të këtij operacioni të mirëorganizuar janë vërejtur në Medvegjë, ku 90% e shqiptarëve janë çregjistruar dhe kanë humbur të gjitha të drejtat si qytetarë. “Flasim për 4,200 shqiptarë të zhdukur nga regjistrat vetëm në këtë komunë,” vijon Ferati.

Zv/kryetari i Komunës së Preshevës, Ragmi Mustafa, e cilëson këtë si një formë të spastrimit etnik modern, duke theksuar se Serbia po përdor metoda administrative për të përvetësuar pronat e shqiptarëve, duke i lënë ata pa dokumente dhe pa të drejta ligjore.

Organizatat ndërkombëtare dhe institucionet e BE-së janë thirrur që të reagojnë ndaj kësaj praktike diskriminuese, e cila po zbatohet prej 14 vitesh dhe ka çuar në zhdukjen e popullsisë shqiptare nga regjistrat zyrtarë në Serbi.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit