

Burri 47-vjeçar vrau pacienten në spitalin psikiatrik të Dafnit në Athinë. Më herët kishte vrarë një tjetër paciente. Pikëpyetje si lihet me të tjerë një vrasës i çmendur dhe arrin të ikë qetësisht
Athinë – Një ngjarje tragjike ka ndodhur në orët e para të mëngjesit në spitalin psikiatrik të Dafnit në Athinë, ku një 47-vjeçar, pacient i shtruar me vendim gjyqësor, vrau një paciente 44-vjeçare.
Gruaja fatkeqe sapo ishte shtruar mbrëmjen e djeshme në spitalin psikiatrik në Dafni pasi po vuante nga sindroma e tërheqjes, për shkak të përdorimit të drogës.
Sipas informacioneve që citon noa.al, autori përdori një copë xhami nga një pasqyrë e thyer për të kryer aktin e rëndë. Pas krimit, ai njoftoi personelin mjekësor për veprimin e tij dhe më pas mori arratinë duke ikur nga spitali.
Pas një periudhe kërkimi prej rreth 17 orësh, 47-vjeçari X.A., u arrestua në bulevardin Athinës, në zonën e Haidarit, jo shumë larg nga spitali.
Në momentin e arrestimit, ai ishte i çorientuar. Duart e tij ishin të mbuluara me gjak dhe plagë nga xhami që kishte përdorur gjatë sulmit.
Kjo është hera e dytë që i njëjti person kryen një vrasje të tillë. Në nëntor të vitit të kaluar, ndërsa ishte i shtruar në spitalin psikiatrik të Korfuzit, ai vrau një paciente tjetër, Teodor Kurtesi, një grua 63 vjeçare duke përdorur një stilolaps dhe një thikë druri.
Pas asaj ngjarjeje, ai u transferua në spitalin e Dafnit me vendim gjyqësor, pasi u konsiderua i papërgjegjshëm penalisht dhe i rrezikshëm për shoqërinë, sipas nenit 69 të Kodit Penal.
Ngjarja e fundit ka ngritur pikëpyetje serioze mbi masat e sigurisë dhe mbikëqyrjes në institucionet psikiatrike.
Është e paqartë se si një pacient me histori të tillë dhune është lejuar të qëndrojë në një dhomë me pacientë të tjerë pa mbikëqyrje të veçantë.
Autoritetet kanë nisur një hetim të menjëhershëm për të sqaruar rrethanat dhe për të përcaktuar përgjegjësitë e mundshme në këtë rast tragjik. /noa.al
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





