

Eurodeputeti grek Fredi Beleri ka vijuar fushatën e tij të akuzave kundër Shqipërisë në Parlamentin Evropian, duke e portretizuar vendin si një shtet që dhunon të drejtat e pakicave greke dhe nuk respekton të drejtën e pronës. Gjatë takimit të Komitetit të Peticioneve në PE, ai pretendoi se qeveria shqiptare pengon sistematikisht komunitetin grek në proceset gjyqësore dhe pronësore.
“Çdo familje greke në Shqipëri përballet me probleme me pronat e tyre. Ndryshimi i sistemit 34 vite më parë nuk ka sjellë asnjë zgjidhje dhe ende nuk janë dhënë titujt e pronësisë. Proceset në gjykata shtyhen pafund dhe në shumë raste nuk gjendet drejtësi,” u shpreh Beleri.
Në vijim, ai ka sulmuar edhe reformën në drejtësi, duke e cilësuar procesin e Vettingut si “një proces të errët”, duke ngritur dyshime mbi ndikimin politik në drejtësinë shqiptare.
Megjithatë, përfaqësuesit e Komisionit Evropian iu përgjigjën kritikave të Belerit duke theksuar se paketa e parë para-negociatore për Shqipërinë përmban qartë kriteret që vendi duhet të plotësojë për anëtarësimin në BE, përfshirë edhe të drejtën e pronës.
“Shqipëria duhet të zbatojë reformat dhe standardet e BE-së për të ecur përpara në procesin e integrimit,” deklaruan ata.
Beleri vijoi sulmet e tij duke pretenduar se në Shqipëri "burgosen figurat politike opozitare", duke e quajtur këtë një tjetër arsye pse BE-ja “nuk duhet të bëjë lëshime” ndaj Shqipërisë në rrugën drejt integrimit.
Këto deklarata të tij vijnë në një kohë kur Shqipëria është duke ecur përpara në procesin e anëtarësimit dhe është vlerësuar nga institucionet evropiane për përparimet e saj në drejtësi dhe sundimin e ligjit.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





