Transmetuar më 19-02-2025, 19:25

Ish-kryeministri Sali Berisha ka shpalosur një pjesë të programit të tij për rikthimin e emigrantëve në Shqipëri, duke premtuar masa konkrete për lehtësimin e integrimit të tyre në tregun vendas. Sipas tij, një nga shtyllat kryesore të kësaj nisme do të jetë përjashtimi nga taksat për një periudhë pesëvjeçare për të gjithë emigrantët që kthehen dhe investojnë në vend.

"Shqipëria ka nevojë për një politikë të fuqishme që të rikthejë qindra mijëra shqiptarë që janë larguar. Mes tyre ka biznesmenë të suksesshëm, shkencëtarë, ekspertë, por shumica dërrmuese janë njerëz të thjeshtë, të cilët kanë zgjedhur emigracionin për një pagë më të mirë. Ne do të bëjmë gjithçka për t’i kthyer ata në Shqipëri dhe për t’i ndihmuar që kursimet e tyre të kenë sukses këtu," deklaroi Berisha.

Ai theksoi se përveç përjashtimit nga taksat, qeveria e tij e ardhshme do të ofrojë edhe kredi të favorshme dhe grante për start-up-et që hapen nga emigrantët e rikthyer.

"Nuk mjafton vetëm përjashtimi nga taksat për 5 vite, duhen një sërë masash shtesë. Do të ofrojmë kredi të buta dhe grante për të ndihmuar bizneset e emigrantëve që rikthehen," shtoi ai.

Duke kujtuar se gjatë qeverisjes së tij të mëparshme (2009-2013) u rikthyen rreth 180 mijë emigrantë, Berisha tha se synon të sjellë një përmbysje të shpejtë të situatës aktuale, duke e bërë rikthimin një zgjedhje të natyrshme për ata që janë larguar.

Në fund, ai e lidhi këtë nismë edhe me zgjedhjet e 11 majit, të cilat i cilësoi si vendimtare për të frenuar fenomenin e zbrazjes së vendit. "Fitorja e 11 majit është jetike për shpëtimin e familjes shqiptare dhe ndalimin e boshatisjes së Shqipërisë në mënyrën më të paimagjinueshme," u shpreh Berisha.

Ky premtim vjen në një kohë kur largimi i të rinjve dhe emigracioni masiv janë kthyer në një nga sfidat më të mëdha të Shqipërisë, duke ndikuar drejtpërdrejt në tregun e punës dhe zhvillimin ekonomik të vendit.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit