Magazinë
Transmetuar më 19-02-2025, 12:59

Në një hap të rëndësishëm drejt rritjes së transparencës dhe llogaridhënies, Agjencia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe Konfiskuara (AAPSK) ka publikuar për herë të parë një katalog të detajuar me pasuritë e konfiskuara.

Ky dokument përmban informacion të plotë mbi vendimin gjyqësor të formës së prerë që ka çuar në konfiskimin e pasurive, si dhe të dhëna mbi llojin, vendndodhjen dhe statusin aktual të tyre.

Publikimi i katalogut vjen në përputhje me Ligjin Nr. 34/2019 “Për Administrimin e Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara”, i cili përcakton rregullat dhe procedurat për sekuestrimin, konfiskimin dhe administrimin e pasurive të përfituara në mënyrë të paligjshme.

Kjo nismë synon të garantojë një informim më të gjerë të publikut dhe të palëve të interesuara, duke forcuar besimin në procesin e administrimit të pasurive të konfiskuara.

Kryeadministratorja e AAPSK, Risena Xhaja, e cila mori detyrën në tetor 2024, udhëhoqi nismën për hartimin e katalogut, duke ngritur një grup pune të dedikuar për këtë proces. Synimi kryesor i publikimit të katalogut është rritja e transparencës dhe aksesit të publikut në informacionin mbi këto pasuri, përmirësimi i llogaridhënies në administrimin e tyre dhe forcimi i bashkëpunimit midis institucioneve dhe qytetarëve.

Përveç katalogut të pasurive të konfiskuara, AAPSK është duke punuar edhe për publikimin e një katalogu të ngjashëm për pasuritë e sekuestruara.

Paralelisht, po realizohet një inventarizim i plotë i databazës së pasurive nën administrim, me synimin për të rritur më tej transparencën, eficiencën dhe mirëadministrimin e tyre.

Ky hap konsiderohet një zhvillim pozitiv në përpjekjet e institucioneve për të luftuar korrupsionin dhe për të siguruar një menaxhim më të drejtë dhe të hapur të pasurive të sekuestruara dhe konfiskuara në Shqipëri.

Katalogu i pasurive të konfiskuara është i disponueshëm për publikun KETU

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit