

Juventusi është gati të përballet me PSV-në, duke mbrojtur fitoren 2-1 të ndeshjes së parë dhe synuar kualifikimin në 1/8 e Ligës së Kampionëve. Skuadra e Thiago Motta vjen pas katër fitoreve radhazi dhe në “Philips Stadion” pritet të bazohet sërish te Kolo Muani si referenca kryesore në sulm. Locatelli dhe Yildiz mund të rikthehen titullarë, ndërsa Cambiaso mund të ketë një mundësi nga minuta e parë.
Motta u shpreh në konferencën për shtyp: "Të gjithë ata që janë në dispozicion mund ta nisin ndeshjen, ose të ndihmojnë gjatë lojës. Arritja në 1/8 finale është objektiv madhor, kjo është ndeshja më e rëndësishme e sezonit deri tani. Barazimi? Kemi barazuar shumë këtë vit, por nuk kemi luajtur kurrë për një pikë. Nuk do ta bëjmë as kësaj here, edhe pse na mjafton".
Gjendja e ekipit: "Douglas Luiz nuk do të jetë i gatshëm. Andrea ka punuar ndaras për shkak të një shqetësimi të vogël, por është i disponueshëm për ndeshjen. Përgatitja e një ndeshjeje si kjo nuk është e vështirë, jemi gati për një performancë të plotë në çdo aspekt dhe ta meritojmë kualifikimin".
Si duhet të luajë Juventusi kundër PSV-së: "Duhet të bëjmë gjithçka në mënyrën më të mirë të mundshme, të përdorim inteligjencën dhe të kuptojmë momentet e lojës. Duhet të jemi të fortë kur kundërshtari shtyn përpara dhe të shfrytëzojmë cilësitë tona për të qenë më superiorë. Do të përballemi me një skuadër të madhe, ndaj duhet të japim maksimumin".
Qasja dhe strategjia e lojës: "Nuk duhet të gabojmë me qëndrimin. Kemi një grup lojtarësh të disiplinuar, që punojnë mirë në stërvitje. Vijmë nga një fitore e rëndësishme ndaj Interit, tani kemi një tjetër sfidë të vështirë, por me një kundërshtar ndryshe.
Duhet të shtypim fort në fazën mbrojtëse, pasi PSV është shumë e fortë në sulm dhe luan me disa lojtarë përpara. Nuk duhet të qëndrojmë shumë mbrapa. Kur kemi topin, duhet të krijojmë raste dhe të finalizojmë në mënyrë efektive. Na duhet një ndeshje e kompletuar".
Koopmeiners: Morali është i lartë pas Interit
Në konferencë për shtyp para kthimit ndaj PSV foli edhe mesfushori holandez bardhezi, Teun Koopmeiners: "Fryma e ekipit është shumë e mirë. Pas fitores ndaj Interit, morali është i lartë. E dimë që do të jetë një ndeshje e vështirë, por ne duam të fitojmë. Duhet të luajmë agresivisht dhe me intensitet, sepse kjo ndeshje e kërkon këtë. Jemi gati".
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





