Transmetuar më 19-02-2025, 09:57

Operacion i përbashkët Shqipëri-Itali çon në shkatërrimin e një grupi kriminal për trafik droge

Një grup i strukturuar kriminal, i cili dyshohet se ka trafikuar lëndë narkotike nga Shqipëria drejt Italisë, është goditur në kuadër të operacionit ndërkombëtar të koduar “Alba Tibus”.

Ky operacion u zhvillua njëkohësisht në të dy vendet, duke çuar në arrestimin e tre shtetasve shqiptarë dhe identifikimin e një tjetri, i cili ndodhet aktualisht në burg.

Në Shqipëri, operacioni u organizua nga Drejtoria për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale, në bashkëpunim me Drejtorinë Vendore të Policisë Vlorë, dhe u koordinua me autoritetet italiane përmes Zyrës së Interforcës Italiane në Shqipëri, Karabinierisë së Romës (Parioli) dhe Interpolit.

Si rezultat, u lokalizuan dhe u vunë në pranga shtetasit shqiptarë A. A., 27 vjeç, K. D. alias K. Dh., 30 vjeç dhe Xh. H., 30 vjeç, të cilët ishin të përfshirë në një procedim penal të nisur nga Prokuroria e Romës.

Sipas hetimeve, në vitin 2019, ata kishin vepruar si një grup i strukturuar kriminal për trafikimin e lëndëve narkotike, kryesisht Cannabis Sativa, në kryeqytetin italian.

Gjithashtu, hetimet kanë identifikuar si pjesëtar të këtij grupi edhe shtetasin E. L., i cili aktualisht po vuan një dënim në Institucionin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale në Rrogozhinë.

Policia e Shtetit ka theksuar angazhimin e saj për të vazhduar bashkëpunimin me partnerët ndërkombëtarë, duke forcuar veprimet e përbashkëta hetimore dhe operacionale në luftën kundër krimit të organizuar dhe kapjen e personave të shpallur në kërkim ndërkombëtar.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit