

Ishte një tjetër ndeshje, ku nuk duhej gabuar. Dhe, ashtu si në Zagreb, Milani gaboi. Sërish një karton i kuq, atëherë për Musah, mbrëmë për Theo Hernandez, iu kushtoi shtrenjtë kuqezinjve, të cilët tani janë jashtë Champions League.
Këto ishin fjalët e Sergio Conceição pas barazimit 1-1 ndaj Feynoordit në “San Siro”: "Zhgënjimi është i madh, jemi shumë të zemëruar, sepse e dinim që ishim më të fortë. E kishim përgatitur këtë ndeshje për ta fituar, por gabuan në golin e dytë dhe humbëm disa raste. Jemi të mërzitur dhe të zhgënjyer.
Tani duhet të mendojmë vetëm për kampionatin nga nesër, tani nuk mundemi ngaqë zhgënjimi është i madh. Pastaj kemi Kupën e Italisë. Sonte, ashtu si në një tjetër ndeshje vendimtare kundër Dinamo Zagrebit, luajtëm për shumë kohë me një lojtar më pak, sepse edhe atëherë një nga lojtarët tanë u përjashtua me të kuq.
Episodi i Theo ndryshoi ndeshjen. E vetmja goditje e tyre në portë ishte te goli. Për mua është një humbje. Nuk është një situatë e re për mua, kam bërë shumë gabime dhe vazhdoj t’i bëj. Edhe lojtarët e mi bëjnë. Fytyra e këtij eliminimi është e imja, jo e Theo-s".
Trajneri portugez sqaroi edhe zëvendësimet e kryera, për ta cilat mori kritika të forta: "Pse e zëvendësova Gimenez? Sepse kishte probleme fizike dhe nuk mund ta rrezikoja. Nuk aktivizova një tjetër sulmues, ishte zgjedhja ime, sepse ekipi po tërhiqej prapa. Vendimet janë të miat. Nëse nuk fitoj, më japin valixhet në dorë dhe largohem. Zëvendësimet? Unë duhet të vendos dhe të kuptoj se çfarë mund të japin lojtarët.
Pse Theo është kaq i paqëndrueshëm? E njoh prej kohësh dhe e di që duhet të bëjë më shumë, por edhe trajneri i tij gjithashtu. Ky i sotmi është një dështim, por unë kam ardhur para një muaji e gjysmë dhe më krahasojnë me ata që kanë qenë këtu prej vitesh.
Trofeun e vetëm që duhej ta fitonim, e fituam. Jemi në gjysmëfinale të Kupës së Italisë. Atmosfera rreth Milanit nuk është nga më të mirat. Në kampionat, që kur kam ardhur unë, kemi grumbulluar 14 pikë, ndërsa Napoli 15".
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





