Transmetuar më 19-02-2025, 08:35

Një skenar kriminal që synonte shitjen e një arme zjarri në Tiranë u ndërpre nga një operacion i befasishëm policor, i koduar "Flagranca".

Në një nga zonat më të frekuentuara të qytetit, "Zogu i Zi", një automjet tip “Honda” po lëvizte nën mbikëqyrjen e forcave policore, të cilat kishin siguruar informacione të rëndësishme për një aktivitet të paligjshëm.

Pikërisht në momentin që automjeti u ndalua nga Policia, 37-vjeçari që ndodhej në timon, G. B., kundërshtoi me dhunë dhe tentoi të largohej, duke krijuar një situatë të tensionuar.

Nga ana tjetër, pasagjeri P. B., 26 vjeç, u kap në flagrancë me një armë zjarri pistoletë dhe një krehër me municion luftarak.

Policia dyshon se kjo armë ishte destinuar për shitje në kryeqytet, raporton noa.al.

Pas ndalimit të tyre, hetimet zbuluan se P. B. ishte tashmë subjekt i një mase sigurie “Arrest në shtëpi”, për veprën penale “Vjedhja”, por pavarësisht kësaj ai vazhdonte aktivitetin e tij të paligjshëm.

Operacioni u realizua nga Seksioni për Hetimin e Trafiqeve, në bashkëpunim me Sektorin e Forcës së Posaçme Operacionale të DVP Tiranë, bazuar në të dhëna të siguruara nga inteligjenca informative.

Në cilësinë e provës materiale, u sekuestruan arma e zjarrit, krehri me municion, tre celularë dhe automjeti që po përdorej nga të dyshuarit.

Policia vijon hetimet për të zbuluar nëse ka persona të tjerë të përfshirë në këtë rast, ndërsa materialet procedurale i kanë kaluar Prokurorisë për veprime të mëtejshme. /noa.al

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit