

Trajneri i Real Madridit, Carlo Ancelotti, foli për “Sky Sport” në prag të ndeshjes së kthimit ndaj Manchester City, e vlefshme për “play off”-in e Champions League: "Skuadra është mirë. Me kohën e kufizuar në dispozicion e kemi përgatitur si duhet ndeshjen. Ia kemi dalë të rikuperojmë Alaba dhe Rudiger, ndërsa Valverde është në formë. Hap pas hapi po rikuperojmë pjesë të rëndësishme të skuadrës".
A prisni ndonjë surprizë nga Guardiola?
Jemi përqendruar tek ajo që duhet të bëjmë ne, ashtu siç bëmë mirë në ndeshjen e parë. Duam ta përsërisim veten edhe nesër, pavarësisht se çfarë do të bëjë City, i cili ka një identitet të qartë dhe nuk besoj se do të ndryshojë.
Si është Bellingham?
Po mëson spanjishten, por ndodhi ajo që ndodhi. Tani shohim përpara. Ai është mirë, shumë i përqendruar te ndeshja dhe i motivuar. E ka lënë pas episodin e para disa ditëve.
Mbappé po shkëlqen gjithnjë e më shumë…
Duhej vetëm pak durim, periudha e adaptimit ishte e domosdoshme. Tani është përshtatur plotësisht dhe po luan shumë mirë, nuk ka asnjë sekret.
A ke diçka për të thënë për ndeshjen mes Barcelonës dhe Rayo?
Nuk kam asgjë për të shtuar. E kam shprehur tashmë mendimin tim për atë që po ndodh, është diçka e habitshme. Nuk kam çfarë të them më tepër për këtë temë. Çfarë ndodhi kundër Osasunës, kundër Atleticos… Janë tri ndeshje ku jemi dëmtuar nga disa vendime që ende nuk i kuptojmë.
A ndihesh më rehat me arbitrat europianë?
Po, statistikat flasin vetë. Ka më pak polemika dhe më pak ndërhyrje të VAR-it, i cili ndërhyn vetëm kur është e nevojshme. Në Champions League arbitrojnë vetëm më të mirët nga çdo vend, cilësia është shumë e lartë.
Guardiola tha se City ka vetëm 1% mundësi për t’u kualifikuar…
Do ta pyes nesër para ndeshjes, por mendoj se ai beson se ka më shumë mundësi, ashtu siç edhe ne nuk mendojmë se kemi 99% shanse. Kemi një avantazh të vogël, duhet ta shfrytëzojmë dhe të luajmë njësoj si në ndeshjen e parë, që shkoi mirë për ne.
A mund të thuhet se La Liga është e manipuluar?
Po them vetëm që në këto tri ndeshje janë bërë gabime të dukshme.
A do ta mbani parasysh rezultatin e ndeshjes së parë?
Kjo është një çështje psikologjike, për të cilën kemi menduar. Mund të ndryshosh qasjen ndaj ndeshjes, por jo llogaritë. Nuk mund të harrosh që ke një avantazh.
A ke dyshime për mbrojtjen?
Rüdiger mund të luajë titullar, Tchouaméni mund të luajë, Asensio mund të aktivizohet edhe si mbrojtës i djathtë. Duhet të vlerësoj Valverden.
Edhe pse skuadra është mbrojtur mirë, ka marrë dy barazime radhazi…
Kanë qenë tri ndeshje të vështira. Jo vetëm që kemi marrë një rezultat të mirë, por ekipi po punon gjithashtu mirë. Kjo na jep siguri dhe një frymë pozitive. Duhet të vazhdojmë të luajmë mirë, me cilësi. Dua të theksoj sakrificën dhe angazhimin kolektiv.
Lucas Vázquez, a është gati?
Jo ende. Ai do të jetë në stol, por nuk e ka përfunduar ende planin e rikuperimit.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





