

Roma, 17 Shkurt 2025 – Kryeministrja italiane Giorgia Meloni ka theksuar se qeveria italiane është e vendosur të vazhdojë me zbatimin e marrëveshjes ndërmjet Italisë dhe Shqipërisë për trajtimin e emigracionit, duke këmbëngulur se nuk ka kthim pas. Ajo shprehu bindjen se protokolli i nënshkruar është një hap i rëndësishëm për të adresuar sfidat që po sjell fluksi i emigrantëve të paligjshëm.
“Qeveria është e vendosur të çojë përpara protokollin Itali-Shqipëri. Jemi të vendosur të gjejmë zgjidhje për çdo pengesë që shfaqet. Dhe do të ecim përpara jo vetëm sepse besojmë në protokoll, por edhe sepse pretendojmë të drejtën e politikës për të qeverisur dhe detyrën e politikës për të marrë përgjegjësi,” deklaroi Meloni.
Ajo theksoi se shumica e qytetarëve italianë kërkojnë ndalimin e emigracionit të paligjshëm, duke e konsideruar atë si një kërcënim për sigurinë dhe stabilitetin shoqëror. “Ata kërkojnë që të ndalojmë emigracionin e paligjshëm sepse ai prodhon pasiguri, mungesë integrimi, pamundësi për të garantuar sundimin e ligjit dhe gjithashtu sepse emigracioni i paligjshëm masiv është armiku i parë i emigracionit të ligjshëm,” shtoi ajo.
Deklaratat e Melonit u pasuan nga Komisioneri Europian për Migracionin, Magnus Brunner, i cili mbështeti marrëveshjen dhe theksoi rëndësinë e Italisë si një partner kyç në menaxhimin e migracionit dhe riatdhesimeve. “Italia është një partner shumë i rëndësishëm për ne në çështjen e migracionit dhe riatdhesimeve. Mendoj se Italia po përpiqet të gjejë mënyra të reja për të siguruar që riatdhesimet të ndodhin me të vërtetë dhe është shumë pozitive të ketë qasje të reja,” tha Brunner.
Brunner do të vizitojë Italinë të martën e ardhshme, ku do të takohet me kryeministren Meloni, zëvendëskryeministrin dhe ministrin e Punëve të Jashtme, Antonio Tajani, dhe ministrin e Brendshëm, Matteo Piantedosi, për të diskutuar strategjitë e ardhshme të menaxhimit të migracionit, përfshirë kthimet e emigrantëve dhe bashkëpunimin me vendet partnere.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





