

Jude Bellingham vazhdon të mbrojë versionin e tij të ngjarjes, për të culën u ndëshkua me karton të kuq. Sipas tij, gjithçka ishte një keqkuptim me arbitrin. Mesfushori anglez doli në zonën miks pas ndeshjes për të sqaruar se gjyqtari Munuera Montero nuk e kishte kuptuar mirë atë që kishte thënë ("fuck off", sipas Bellingham, ndërsa në raportin e gjyqtarit ishte shkruar "fuck you").
Të dielën, pasi kishte lexuar aktin zyrtar të arbitrit andaluzian, ai u shpreh sërish përmes një mesazhi në Instagram: "Çdo gjë është thënë për keqkuptimin, thjesht dua të kërkoj falje përsëri për faktin, sepse i lashë shokët e mi të ekipit në një situatë të vështirë. Falënderoj tifozët për mbështetjen dhe mirëkuptimin e tyre. Shihemi të mërkurën në shtëpi".
Në deklaratat e tij pas ndeshjes, Bellingham kishte dhënë versionin e tij mbi ndodhinë: "Është e qartë që është bërë një gabim, ka pasur një keqkuptim në komunikim. Nuk dua të përsëris saktësisht atë që thashë, por ishte diçka më shumë si ‘dreq’.
Dua që të gjithë ta dinë se nuk e kam pasur aspak qëllimin ta lë ekipin tim me 10 lojtarë. Nëse shikon videon, është e qartë që nuk është e njëjta gjë me atë që shkruhet në raportin e arbitrit. Shpresoj që federata ta marrë parasysh. Nuk kam fyer askënd, kjo duket qartë në video. Madje nuk ia thashë drejtpërdrejt arbitrit, por vetes sime. Ishte thjesht një keqkuptim dhe një gabim i qartë i gjyqtarit".
Megjithatë, fjalët e anglezit bien ndesh me raportin e arbitrit Munuera Montero, i cili në aktin e ndeshjes Osasuna-Real Madrid shkroi: "Në minutën e 40-të, Bellingham u përjashtua për shkak të sjelljes së tij ndaj meje, duke qenë disa metra larg, duke thënë: Fuck you".
Situata mbetet e hapur dhe tani pritet vendimi i federatës për ndëshkimin e mundshëm të mesfushorit të Real Madridit.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





