Transmetuar më 18-02-2025, 08:15

Mundësia që Neymar Jr. të kthehet te Barcelona verën e ardhshme është po aq e largët, sa e papraktikueshme. Ky është konkluzioni që mund të nxirret nga deklaratat e bëra prej babait-agjent të kampionit brazilian, Neymar Sr., natën e kaluar, para fitores së parë të djalit të tij me Santosin; 3-1 kundër Água Santa, në një ndeshje të Kampionatit Paulista, e cila u bazua te një gol dhe asist i “O’Ney”.

Ja deklaratat e tij: "Projekti ynë nuk është vetëm për pesë muaj, edhe pse kontrata e djalit tim është vetëm për pesë muaj. Nuk erdhëm këtu për të luajtur vetëm pesë muaj, por për t’i dhënë mundësinë Santosit që të ristrukturohet në këtë periudhë, për të gjetur aleatë, që mund ta ndihmojnë klubin të ngrihet”.

Sidoqoftë, kjo është hera e parë që përfaqësuesit e ish-lojtarit të Barcelonës dhe PSG-të pranojnë mundësinë e zgjatjes së qëndrimit të tij në Brazil. Një mundësi që presidenti i “Peixe”, Marcelo Teixeira, e ka mbështetur gjithmonë, ndoshta deri në Kupën e Botës 2026.

Agjenti i Neymarit ka shpjeguar se është në përputhje të plotë me drejtimin aktual të Santosit: "Marcelo Teixeira është një figurë kyçe në të gjithë këtë, sepse ishte ai që më dha mundësinë ta ndihmoj Santosin. Ky është një moment i vështirë për klubin. Duke ditur peshën që ka sjellja e Neymar këtu, është e nevojshme që klubi të arrijë një nivel të përshtatshëm që ai të mund të jetë i lumtur".

Pas fitores 3-1 në kampionat, Neymar u intervistua për komentet e babait-agjent të tij ("nuk erdhëm këtu për të luajtur vetëm pesë muaj"). "Duhet të jemi të qetë, – tha ai duke qeshur në mikrofonet e “TNT Sports BR”. – Ky është vetëm fillimi i një periudhe të shkëlqyer për Santosin".

Për sa i përket kontratës, që skadon në qershor, ai shpjegoi: "Nuk doja një kontratë të gjatë, sepse nuk e dija nëse do të kthehesha, nuk e dija si do të ndihesha duke luajtur. Mendoj se çdo gjë mund të ndodhë. Santosi më ndihmoi, më hapi dyert për të rifituar futbollin dhe gëzimin.

Santosi e di dashurinë që kam për këtë klub, respektin që kam. Kur jam në fushë, që është aty ku më pëlqen të jem më shumë, jap 100%. Le ta shijojmë këtë moment, çdo ndeshje. Ky është vetëm fillimi i një periudhe të shkëlqyer për Santosin, jam i sigurt. Santosi do të ngrihet dhe do të kthehet në majë, aty ku e meriton".

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit