

Policia e Nju Jorkut gjen trupin e një burri të zhdukur; u torturua për më shumë se një muaj nga 5 persona. "Një nga krimet më të tmerrshme që kam hetuar ndonjëherë": Zyrtarët detajojnë vrasjen e 24 vjeçarit
Paralajmërim: Ky lajm përmban të dhëna që flasin për një ngjarje të dhunshme. Lexuesve u këshillohet të jenë të kujdesshëm
NJU JORK – Policia e Shtetit të Nju Jorkut akuzon pesë persona për vrasje në lidhje me vdekjen e një burri të zhdukur, i cili, sipas autoriteteve, vdiq pas akteve të përsëritura të dhunës dhe torturës për më shumë se një muaj nga disa individë që më pas hodhën trupin e tij në një fushë.
Viktima, Sam Nordquist, një burrë transgjinor 24-vjeçar me origjinë nga Minnesota, u raportua i zhdukur më 9 shkurt.
Policia tha sot se ai kishte mbërritur në Nju Jork në shtator dhe kishte humbur kontaktin me të dashurit e tij, raporton noa.al duke cituar AP.
Major Kevin Sucher, komandant i trupës së policisë së shtetit që përfshin rajonin e Finger Lakes, tha se faktet dhe rrethanat e rastit ishin "përtej çnjerëzores" dhe "pa dyshim hetimi më i keq për vrasje" në të cilin zyra e tij ka marrë pjesë ndonjëherë.
"Asnjë qenie njerëzore nuk duhet të përjetojë atë që përjetoi Sam," tha ai gjatë një konference për shtyp. Policia nuk ndau shumë detaje të rastit, duke vënë në dukje se hetimi mbetet aktiv.

Kur u pyet nëse tortura dhe vdekja e Nordquist konsideroheshin si krim urrejtjeje, kapitenja Kelly Swift e Byrosë së Hetimit Penal të Policisë së Shtetit të Nju Jorkut tha se policia nuk e ka përjashtuar këtë mundësi, por theksoi se hetimi po vazhdon. Hetuesit gjithashtu duhet të përcaktojnë marrëdhënien e Nordquist me të dyshuarit, si dhe marrëdhëniet midis tyre.
Të arrestuarit që shihni në foton qendrore janë Precious Arzuaga, 38 vjeç, dhe Patrick Goodwin, 30 vjeç, nga Canandaigua, Nju Jork; Kyle Sage, 33 vjeç, nga Rochester, Nju Jork; Jennifer Quijano, 30 vjeç, nga Geneva, Nju Jork; dhe Emily Motyka, 19 vjeç, nga Lima, Nju Jork.
Të pestë u akuzuan për vrasje të shkallës së dytë pasi policia të enjten kontrolloi një dhomë në motelin Patty’s Lodge në Canandaigua, vendi i fundit ku dihej se qëndronte Nordquist.
Të pestë po mbahen në paraburgim policor, në pritje të paraqitjes në gjyq. Nuk ishte e qartë nëse ndonjëri prej tyre kishte siguruar një avokat.
Hetimi deri më tani ka zbuluar një "model thellësisht shqetësues të abuzimit" që përfundimisht çoi në vdekjen e Nordquist, tha Swift, e cila e quajti atë "një nga krimet më të tmerrshme" që ajo ka hetuar ndonjëherë në karrierën e saj 20-vjeçare në zbatimin e ligjit. /noa.al
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





