Transmetuar më 16-02-2025, 12:52

Kina është e gatshme të forcojë komunikimin strategjik me Bashkimin Evropian, të rrisë mirëkuptimin e ndërsjellë dhe të punojë së bashku për t’i sjellë më shumë qëndrueshmëri botës, tha të shtunën ministri i Jashtëm i Kinës Wang Yi.

"Ndërmjet Kinës e BE-së nuk ka konflikte të thella interesi apo përplasje gjeopolitike," theksoi Wang, gjatë një takimi me përfaqësuesen e lartë për punët e jashtme dhe politikën e sigurisë të BE-së Kaja Kallas, në kuadër të Konferencës së 61-të të Sigurisë të Mynihut.

Ai u shpreh më tej që si Kina, ashtu edhe BE-ja mbeten të përkushtuara ndaj multilateralizmit, mbrojnë statusin qendror të OKB-së, besojnë se çështjet ndërkombëtare duhet të trajtohen nëpërmjet dialogut e konsultimeve dhe kundërshtojnë çdo formë ngacmimi.

Duke vënë në dukje që ky vit shënon 50-vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike midis Kinës dhe BE-së, Wang tha se të dyja palët duhet ta shfrytëzojnë këtë mundësi për të rishikuar përvojën e fituar, për të ritheksuar partneritetin dhe për të ruajtur frymën e dialogut e të bashkëpunimit.

Kina është e gatshme të organizojë një sërë aktivitetesh festive me BE-në dhe të përgatitet mirë për raundin e ri të takimit të liderëve të të dy palëve.

Nga ana e saj, Kallas tha se BE-ja u kushton rëndësi të madhe marrëdhënieve me Kinën dhe është e gatshme të bashkëpunojë për përgatitjen e takimit të liderëve BE-Kinë, të kremtojë 50-vjetorin dhe të hartojë plane për zhvillimin e ardhshëm të marrëdhënieve dypalëshe.

Ajo vlerësoi rolin udhëheqës të palës kineze në trajtimin e ndryshimeve klimatike dhe në fusha të tjera, duke shtuar se BE-ja është e gatshme të bashkëpunojë me Kinën për të mbrojtur multilateralizmin dhe parimet e Kartës së Kombeve të Bashkuara.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit