

I intervistuar nga një tjetër legjendë e futbollit brazilian, Romario, ai nuk ngurroi të shprehte mendimet personale për Barcelonën, kombëtaren braziliane dhe të ardhmen e tij në menaxhimin e futbollit. Ronaldo Nazário aspiron të bëhet president i Federatës Braziliane të futbollit, ta kthejë “Selecao” në majë të futbollit botëror.
Njëherazi theksoi problemet e Barcelonës me lojtarët brazilianë, nevojën për ta ndërtuar ekipin kombëtar brazilian rreth Neymar dhe Vinícius, si dhe domosdoshmërinë e një trajneri të huaj për Brazilin:
“Largimi im nga Barça ishte si një ‘grusht në stomak’, m’u duk vetja i prerë në besë… Në fakt, edhe edhe yje të tjerë brazilianë si Romário, Rivaldo, Ronaldinho dhe Neymar janë larguar në mënyrë të ngjashme, me konflikte dhe pakënaqësi. Kjo tregon problemet e menaxhimit te Barça. Po, po atje kanë një problem të madh menaxherial prej shumë kohësh.
Pas një sezoni spektakolar te Barça, kisha arritur marrëveshje për rinovimin e kontratës, por brenda pesë ditëve klubi më informoi se nuk mund të vazhdoja më dhe më transferoi tek Interi. Isha i dashuruar me qytetin dhe klubin, por nuk pata asnjë mundësi për të qëndruar.
Shumë yje brazilianë kanë pasur largime të ngjashme nga Barça. Mos harroni se Romário u largua i zemëruar, Rivaldo u largua me probleme, Ronaldinho po ashtu, Neymar gjithashtu… Barça ka një histori të çuditshme me lojtarët e suksesshëm brazilianë. Në momente kyçe, Barcelona ka marrë vendime të papritura edhe për tifozët”.
Kujtojmë se Ronaldo u bashkua me Barcelonën në vitin 1996 nga PSV Eindhoven dhe pati një sezon të jashtëzakonshëm, por u largua më 1997 për tek Interi. Më pas, pas triumfit në Botërorin 2002, u transferua te Real Madridi, ku u bë pjesë e skuadrës legjendare të "galaktikëve" së bashku me Luis Figo, Roberto Carlos, Raúl, Zinedine Zidane dhe David Beckham.
“Fenomeni” jep mendimin e tij edhe për për kombëtaren e Brazilit dhe strategjinë që duhet të ndjekë drejt Botërorit 2026: "Brazili duhet ta ndërtojë lojën e tij rreth Neymar dhe Vinícius Júnior. Ato janë dy shtylla të rëndësishme. Duhet gjetur një sistem që të funksionojë për ta.
Neymar, pavarësisht dëmtimeve, mbetet një figurë kyçe për Brazilin, talenti i tij mbulon problemet strukturore të futbollit brazilian. Neymar është një lojtar që frymëzon të rinjtë, ka personalitet, nuk ka frikë nga goditjet dhe shënon gola të rëndësishëm. Performanca e Vinícius Júnior te Real Madridi është e çmendur, por ende nuk po arrin të shkëlqejë njësoj me kombëtaren”.
Ronaldo e tha hapur se Brazilit i duhet një trajner i huaj: “Trajnerët brazilianë janë sot dy hapa prapa nivelit ndërkombëtar. Ne e dominonim futbollin botëror për shumë vite, por tani duhet të pranojmë me përulësi që të tjerët na kanë parakaluar.
Personalisht e vlerësoj shumë portugezin Abel Ferreira, trajnerin e Palmeiras, si një shembull të trajnerëve të huaj që mund të sjellin ndryshimin. Kandidatura ime për president ka në bazë rritjen e investimeve dhe rikthimin e Brazilit si superfuqi e futbollit botëror. Qëllimi im është që futbolli të bëhet një forcë transformuese në Brazil".
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





