

Në një intervistë për edicionin e sotëm të “Corriere dello Sport”, ish-qendërmbrojtësi i Interit, Andrea Ranocchia, ka folur për trajnerin e Juventusit, Thiago Motta, me të cilin ka qenë shok skuadre te zikaltrit:
"Kam luajtur me të dhe më ndihmoi shumë në përshtatjen time. Një futbollist jashtëzakonisht inteligjent, gjithmonë i pozicionuar mirë, bënte gjënë e duhur në momentin e duhur, me një cilësi të pabesueshme".
Ish-mbrojtësi ka zbuluar gjithashtu një nofkë që Motta i kishte vënë: "Më quante ‘Jonny Stecchino’, sepse isha shumë i dobët. Nuk e mendoja që do bëhej trajner, sepse është një tip introvert. Në Bologna bëri një punë të shkëlqyer, një mrekulli, por kalimi nga Bologna te Juventusi është një hap i madh. Duhet pak kohë për t’u përshtatur. Mendoj se më kishte përzemër, për vite me radhë kemi shkëmbyer mesazhe, edhe kur ishte te PSG".
Ranocchia u ndal sërish te kalimi i Mottës te Juventusi si trajner: "Atje duhet të fitosh, të fitosh dhe përsëri të fitosh. Këtë e kërkon historia e klubit bardhezi. Juventusi nuk ndryshon, është ai që të ndryshon ty. Unë ende nuk e kam kuptuar cili është projekti i kësaj skuadre, çfarë ose kush i ka shtyrë të bëjnë atë merkato dhe ku duan të arrijnë. Te Juve duhen njerëz me ADN-në e Juves. Thiago është i veçantë, shpresoj t’i jepet koha dhe lojtarët e duhur".
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





