Transmetuar më 14-02-2025, 21:57

Këshilli i Lartë Gjyqësor i ka tërhequr vëmendje medieve, duke kërkuar të mos i bëjnë presion e gjyqtarëve që ushtrojnë funksionin pranë Gjykatës Administrative të Apelit.

Në reagim thuhet se një “grup mediatik” ka shpërndarë materiale që përmbajnë aludime dhe përcaktime që cënojnë dinjitetin e gjyqtarëve që ushtrojnë funksion në Gjykatën Administrative të Apelit:

Reagimi i KLGJ:

Këshilli i Lartë Gjyqësor, në përputhje me qëndrimet e tij të vazhdueshme në mbrojtje të magjistratëve, ka konstatuar publikimin dhe transmetimin nga një grup mediatik, të materialeve që përmbajnë aludime dhe përcaktime që cenojnë dinjitetin e gjyqtarëve që ushtrojnë funksionin pranë Gjykatës Administrative të Apelit, si dhe të familjarëve të tyre.

Këshilli vlerëson rolin e medias si një komponent thelbësor në një shoqëri demokratike, ku informimi i publikut duhet të realizohet në mënyrë të paanshme dhe profesionale. Media ka detyrimin të respektojë parimet e etikës dhe të shmangë publikimet që synojnë dëmtimin e besimin e publikut te sistemi i drejtësisë. Në këtë kontekst, Këshilli thekson rëndësinë e raportimeve të bazuara në fakte të verifikuara dhe të trajtuara me objektivitet, duke shmangur krijimin e perceptimeve të pasakta apo të dëmshme për gjyqtarët dhe familjarët e tyre.

Këshilli i Lartë Gjyqësor fton edhe njëherë të gjithë aktorët që të respektojnë pavarësinë e gjyqtarëve dhe angazhimin e tyre në forcimin e shtetit të së drejtës. Dhënia e drejtësisë duhet të jetë e çliruar nga çdo lloj ndikimi apo ndërhyrjeje nga subjektet publike apo private, duke garantuar paanshmërinë e sistemit gjyqësor në shërbim të interesit publik

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit