











Policia Federale Gjermane dhe Zyra Federale Kriminale Gjermane (BKA) po demonstrojnë edhe një herë se janë suportuese të vazhdueshme të punës së Policisë shqiptare.
Donacioni i radhës për Policinë e Shtetit, ishte pajisje dhe automjete me vlerë rreth 345 000 euro, në funksion të përmbushjes efektive të detyrave nga Departamenti për Kufirin dhe Migracionin, Departamenti për Sigurinë Publike, Instituti i Policisë Shkencore dhe Departamenti për Policinë Kriminale.
Donacioni përfshiu automjete, jelekë mbrojtës, laptopë, programe, pajisje për leximin e dokumenteve, komplete pajisjesh mbrojtëse, radio komunikimi dhe uniforma taktike, raporton noa.al.
Ceremonia e dhurimit u organizua në ambientet e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, ku Drejtori i Përgjithshëm Drejtues Madhor Ilir Proda dhe drejtues të lartë të Policisë, pritën Ambasadorin e Gjermanisë Karlfried Bergner, i cili dorëzoi pajisjet dhe automjetet.
Proda tha se partnerët gjermanë, e demonstrojnë në mënyrë të vazhdueshme besimin e tyre te profesionalizmi dhe korrektesa e efektivëve të Policisë së Shtetit.
Ai siguroi se pajisjet dhe automjetet e destinuara për sektorët kyç të Policisë së Shetit, do të rritin dukshëm rezultatet e punës së tyre, përsa i përket rritjes së performancës dhe standardeve të policimit, si dhe progresimit të luftës kundër krimit të organizuar dhe trafiqeve.
Po ashtu, Proda siguroi Ambasadorin Bergner, se Policia e Shtetit mbetet e angazhuar për intensifikimin e bashkëpunimit me agjencitë ligjzbatuese gjermane, me qëllim përmbushjen e objektivave të përbashkët.
Ndërkaq, Ambasadori Bergner vuri në dukje rolin e rëndësishëm të Policisë së Shtetit Shqiptar në ndërtimin e shtetit të së drejtës, i cili është qëllimi i anëtarësimit në BE.
Ai u shpreh se urat e konsoliduara të partneritetit ndërmjet policisë shqiptare dhe policisë gjermane janë ndërtuar me kontribut reciprok dhe duke patur prioritet luftën e përbashkët kundër krimit.
Ambasadori garantoi se bashkëpunimi me Policinë e Shtetit do të vijojë të jetë konkret dhe direkt nëpërmjet donacioneve, trajnimeve, skuadrave të përbashkëta hetimore, shkëmbimit të metodave dhe praktikave, si dhe nëpërmjet operacioneve me impakt ndërshtetëror.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





