Transmetuar më 14-02-2025, 14:05

Jamal Musiala, një nga talentet më premtuese të futbollit europian, i cili kishte kontratë në fuqi me Bayern Munich deri në vitin 2026, ka rinovuar sot zyrtarisht edhe për 4 vite të tjera. Pra, mesfushori-sulmues dhe klubi bavarez e kanë zgjatur “martesën” e tyre deri në vitin 2030, me rritje të konsiderueshme të pagës.

Rritja nuk është konfirmuar saktë, por flitet se kontrata e re e bën lojtarin në fjalë më të paguarin në Bundesligë, duke tejkaluar edhe Harry Kane, i cili fiton 25 milionë euro bruto në sezon. Në sezonin aktual, Musiala ka treguar performanca mbresëlënëse, duke kontribuar ndjeshëm në sukseset e ekipit bavarez.

Pavarësisht interesit nga klube të mëdha europiane si Real Madrid dhe Manchester City, gjermani zgjodhi ta vazhdonte karrierën te Bayern Munich, duke synuar të bëhet figurë kyçe për të ardhmen e klubit nag “Allianz Arena”. Djaloshi i lindur në vitin 2003 shprehu ndjenjat e tij të para për rinovimin:

"Jam vërtet i lumtur. Bayerni është një nga klubet më të mëdha në botë. Këtu kam hedhur hapat e mi të parë në futbollin profesionist dhe besoj fuqimisht se mund të arrijmë diçka të mrekullueshme me këtë klub në vitet e ardhshme. Jam i emocionuar për gjithçka që na pret”.

Edhe Herbert Hainer, presidenti i Bayernit, shprehu gjithashtu kënaqësinë e tij: "Çfarë dhuratë e jashtëzakonshme e hershme për 125-vjetorin e klubit dhe tifozëve. Njerëzit shkojnë në stadium për lojtarë si Jamal Musiala. Ai është një lojtar vërtet i jashtëzakonshëm. Ndonjëherë duket se ligjet e gravitetit nuk vlejnë për të. Falë bordit tonë sportiv është një ditë shumë pozitive për menaxhimin e Bayernit”.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit