

MAT- Donald Lepuri, 18 vjeç është arrestuar nga policia pasi plagosi me thikë 17-vjeçarin, Alban Gjonaj. Ngjarja ka ndodhur ditën e djeshme në ambientin sportiv të shkollës së mesme në fshatin Baz.
Policia bën me dije se pas përfundimit të hetimeve dhe zbardhjes së ngjarjes u vu në pranga 18-vjeçari, banues në Laç, i cili akuzohet për veprat penale “Plagosja e rëndë me dashje” dhe “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”.
Gjonaj u dërgua të spitali i Traumës për mjekim më të specializuar dhe vijon të jetë në kujdesin e mjekëve, në gjendje jashtë rrezikut për jetën.
NJOFTIMI I POLICISË:
Mat
Vihet në pranga 18-vjeçari që plagosi me mjet prerës një 17-vjeçar, dje, në shkollën e mesme të fshatit Baz.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Mat, në përfundim të veprimeve hetimore të kryera në drejtimin e Prokurorisë së Dibrës, për zbardhjen e ngjarjes së ndodhur ditën e djeshme, në ambientin sportiv të shkollës së mesme në fshatin Baz, arrestuan në flagrancë shtetasin D. L., 18 vjeç, banues në Laç, për veprat penale “Plagosja e rëndë me dashje” dhe “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”.
Ky shtetas dyshohet se pas një konflikti të çastit ka plagosur me mjet prerës (thikë), një 17-vjeçar, i cili vijon të jetë në kujdesin e mjekëve, në gjendje jashtë rrezikut për jetën.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





