

Tiranë, 13 shkurt 2025 – Drejtuesi i fushatës së presidentit amerikan Donald Trump, dhe njëkohësisht drejtues i fushatës së opozitës për zgjedhjet e 11 Majit në Shqipëri, Frank LaCivita, ka folur për situatën politike në vend dhe ka ofruar një perspektivë të qartë mbi marrëdhënien e tij me kryeministrin shqiptar, Edi Rama.
Në një intervistë për programin "Çim Peka Live", LaCivita është pyetur se çfarë do të bënte nëse do të kontaktohej nga Rama për të udhëhequr një fushatë zgjedhore. Ai u përgjigj menjëherë duke theksuar se "nuk punon për komunistët apo për produkte të komunizmit", duke lënë të kuptohet se nuk është i gatshëm të bashkëpunojë me pushtetin aktual.
LaCivita gjithashtu theksoi se ngjashmëritë mes garës politike në Shqipëri dhe atyre në Shtetet e Bashkuara janë të dukshme, kryesisht për shkak të trajtimit të opozitës. Sipas tij, opozita politike në Shqipëri është përndjekur dhe përballur me akuza të padrejta, një situatë që, sipas tij, reflekton praktika të ngjashme me ato në SHBA.
"Në mënyrë të padrejtë, opozita është përndjekur dhe është ndjekur penalisht ose janë ngritur dyshime ndaj saj," tha LaCivita, duke shtuar se kjo është një mundësi për të rikthyer dhe forcuar demokracinë, duke ndihmuar Shqipërinë të bëhet pjesë e një koalicioni të fuqishëm ndërkombëtar, nën udhëheqjen e një "Amerike të fuqishme".
LaCivita e përfundoi intervistën duke theksuar se "njerëzit duhet të zgjedhin këtë model dhe të votojnë për të ardhmen."
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





