

Karl-Heinz Rummenigge, anëtar i Këshillit Mbikëqyrës të Bayern Munich, ka dhënë një intervistë të gjatë për “SportBild”, ku ka folur pozitivisht për formatin e ri të Kupës së Botës për Klube: "Për një kohë të gjatë, kjo ishte garë pa emocione, por tani situata do të ndryshojë me këtë format të ri".
Çfarë mendoni për formatin e mëparshëm?
Me shtatë ekipe në dimër, ishte e mërzitshme. Si fitues i Champions League shkoje atje duke e ditur që do të ktheheshe me një tjetër trofe në bagazh. Çdo garë e programuar pa emocion nuk arrin te tifozët.
Si e gjykoni versionin e ri të kompeticionit?
Fakti që FIFA po prezanton tani Kupën e re të Botës për Klube është një mrekulli e vërtetë. Për herë të parë, një kompeticion për kombëtare, siç ishte Kupa e Konfederatave, është zëvendësuar me një turne për klubet.
Lojtarët ankohen për numrin e madh të ndeshjeve…
Lojtarët tanë duhet të ndalojnë së ankuari. Çdo negociatë kontraktuale që kam parë shkon gjithmonë në të njëjtin drejtim: më shumë para, më shumë ekspozim, më shumë famë. Por të gjitha këto para duhet të vijnë nga diku.
DFL ka ruajtur të ardhurat nga të drejtat televizive, madje i ka rritur me 2%. Një arritje e madhe…
Por lojtarët dhe agjentët e tyre kërkojnë gjithmonë më shumë. Kjo do të thotë që paratë duhet të vijnë nga gara të tjera, siç është Kupa e re e Botës për Klube në verë. Ky është kurthi që lojtarët kanë krijuar për veten e tyre.
Si e shihni zhvillimin ekonomik të futbollit?
Nëse vazhdon kështu, futbolli do të jetë industria e vetme në botë që nuk prodhon më fitime, por vetëm humbje. Po shkojmë drejt një krize dhe askush nuk është i gatshëm të ndalojë. Nëse një lojtar i Bayernit fiton ‘vetëm’ 15 milionë euro në vend të 20 milionëve, unë ende e quaj shumë të çmendur, nëse mund ta them me shaka.
Cili është mendimi juaj për Superligën Europiane?
Siç ishte menduar fillimisht, me klubet më të mira nga Anglia, Spanja, Italia, Franca dhe Gjermania, nuk do të ekzistojë kurrë. Askush nuk do të marrë pjesë, përveç Real Madridit dhe Barcelonës. Tani po përpiqen të afrohen me klubet e nivelit të dytë, por në këtë mënyrë nuk do të jetë një Superligë e vërtetë.
Ju e njihni mirë Al-Khelaifin…
Po, jam mik i tij. Është një person i besueshëm. Duke qenë se është nga Katari dhe Kupa e Botës 2022 u mbajt atje, ai u vendos automatikisht në shënjestër nga grupet ultras. Kjo nuk është e drejtë. Në Gjermani duhet të ndalojmë së menduari se vetëm vlerat tona duhet t’i imponohen gjithë botës. Politikanët dhe, fatkeqësisht, futbolli po e bëjnë këtë gabim të madh. Franz Beckenbauer gjithmonë thoshte: Nëse drejton gishtin nga të tjerët, katër gishta drejtohen nga vetja jote…
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





