

Ministri i Brendshëm, Ervin Hoxha, ka reaguar në lidhje me situatën e krijuar një ditë më parë para SPAK, ku mbështetës të Erion Veliaj u mblodhën për t’i qëndruar në krah kreut të bashkisë Tiranë. Në një komunikim për mediat, para se të hynte në Parlament, Hoxha deklaroi se policia nuk ndërhyri pasi personat nuk ishin protestues, por simpatizantë.
Ai theksoi se aty ishte e pranishme Garda, por punonjësit e saj u përballën me një moment vështirësie për shkak të grumbullimit të papritur. I pyetur nga gazetarët nëse do të shkarkonte Drejtorin e Policisë së Shtetit, Ilir Proda, ministri Hoxha nuk dha një përgjigje të drejtpërdrejtë, por shtoi se ka dallime mes protestuesve të mëparshëm, të cilët ishin të lajmëruar, dhe këtij grumbullimi që ishte i papritur.
Ministri sqaroi se, në kushtet e një mase sigurie, policia e Shtetit ka detyrën të sigurojë SPAK-un, një detyrë që u përmbush dhe nga punonjësit e Gardës. Ai nënvizoi se situata ishte ndryshe nga protestat e mëparshme, ku organizatorët ishin të regjistruar dhe veprimet ishin planifikuar.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





