

Delegacioni i Bashkimit Europian në Tiranë ka reaguar lidhur me arrestimin e kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, si dhe zhvillimet politike që e kanë pasuar atë.
Delegacioni i BE-së thotë se po ndjek nga afër zhvillimet lidhur me hetimin e Veliajt, por shton se nuk komenton procedura gjyqësore në vazhdimësi.
Më tej, në reagim thuhet se BE-ja mbështet reformën në drejtësi dhe se forcimi i shtetit të së drejtës janë elementë kyç për anëtarësimin në Bashkimin Europian.
Reagimi i delegacionit të BE-së mbyllet duke nënvizuar se SPAK duhet të hetojë rastet komplekse të korrupsionit pa pasur ndërhyrje politike apo presion të padrejtë.
Reagimi i delegacionit të BE-së
“Po ndjekim nga afër zhvillimet e fundit në lidhje me hetimin ndaj Kryetarit të Bashkisë së Tiranës. Megjithatë, BE-ja nuk komenton mbi procedurat gjyqësore në vazhdim.
Reforma në sektorin e drejtësisë dhe forcimi i shtetit të së drejtës në Shqipëri janë elementë kyç në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
BE-ja mbetet e përkushtuar maksimalisht për të mbështetur përpjekjet e Shqipërisë në ndjekjen e këtyre reformave dhe për ta ndihmuar vendin të konsolidojë efikasitetin, pavarësinë, llogaridhënien dhe profesionalizmin e institucioneve të saj, si dhe përputhshmërinë e tyre me standardet e BE-së, si në sektorin e zbatimit të ligjit ashtu edhe në atë të drejtësisë.
Roli specifik i Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) dhe pavarësia e saj në hetimin, ndjekjen penale dhe gjykimin e rasteve komplekse të korrupsionit, pa asnjë përpjekje për ndërhyrje politike apo presion të padrejtë, janë me rëndësi thelbësore për konsolidimin e shtetit të së drejtës në Shqipëri.”TCh
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





