Transmetuar më 12-02-2025, 12:39

Davide Calabria foli për largimin e tij të parakohshëm nga Milani gjatë konferencës së prezantimit si lojtar i ri i Bologna. "Ky transferim tregon ambicien time, – tha ish-kapiteni kuqezi, i cili u largua 6 muaj para përfundimit të kontratës me kuqezinjtë. – Pa nënshkruar kontrata afatgjata, dua të luaj dhe të tregoj vlerat e mia në fushë. Këtu ndjehem i qetë.

Luajmë futboll, është çështje ambicieje dhe dëshire për të bërë mirë. Nuk kam ngut të flas për çështje ekonomike, për mua ka qenë gjithmonë prioritet të luaj. Në muajt e fundit pati disa gjëra që krijuan vështirësi dhe situata të pakëndshme.

Sot ndihem i lumtur që jam këtu, në një ambient të shëndetshëm, me njerëz që duan të punojnë në mënyrën më të mirë dhe me shumë energji pozitive, gjë e cila ndoshta më kishte munguar kohët e fundit".

Më 26 shkurt është planifikuar ndeshja Bologna-Milan: "Mezi pres ta luaj, jam i motivuar për këtë sfidë. Është diçka e re për mua, i përqafoj gjërat e reja me pozitivitet. Do të jetë bukur të takoj ish-shokët e mi të skuadrës, iu uroj më të mirën, por jo në atë ndeshje".

Në lidhje me përplasjen me trajnerin Conceiçao, ish-kapiteni kuqezi u shpreh shkurt: "Nuk dua të kthehem më tek ajo çështje".

Mbrojtësi foli gjithashtu për motivet e zgjedhjes së tij: "Ishte një vendim që u pjek me kalimin e kohës dhe më i duhuri për të gjithë. Kemi biseduar për këtë në mënyrë të pjekur dhe na u duk alternativa më logjike. Sigurisht që pati pak trishtim në ndarje, por unë e di sa kam dhënë për atë fanellë.

Zgjodha Bologna sepse besoj se ka potencial. Drejtori më la një përshtypje të mirë që në telefonatën e parë. Pastaj, kur erdha këtu gjeta një ambient të këndshëm, një skuadër ambicioze, që punon shumë. Mendoj se mund të kem një sezon të mirë dhe ta ndihmoj ekipin të rritet. Që në momentin e parë që mbërrita, u ndjeva mirë, kjo është shumë e rëndësishme për mua".

Calabria beson se kalimi te Bologna do ta ndihmojë edhe për kombëtaren: "Pa dyshim, zgjodha një klub ideal për t’u rilançuar dhe rifilluar. Kombëtarja është gjithmonë një objektiv për mua…"

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit