Transmetuar më 12-02-2025, 11:15

Sergio Conceiçao, trajneri i Milanit, foli për mikrofonët e “Sky Sport”, duke komentuar ndeshjen e sotme kundër Feyenoord: "E vërteta është se jemi këtu për fajin tonë. Ajo ndeshje në Zagreb nuk ishte fare e mirë, me të gjitha problemet që kishim. Duhet t’i luajmë këto dy ndeshje të vështira të ‘play off’-it,, sepse kështu ndodh kundër ekipeve holandeze.

Është edhe më e vështirë, sepse kundërshtari ka ndryshuar trajner dhe nuk e dimë çfarë mund të bëjë; nëse do të vazhdojë në të njëjtën rrugë, gjë që mendoj se do ta bëjë, sepse ka vetëm një ditë për të punuar dhe nuk mund të ndryshojë shumë, apo jo. Duhet t’i japim përgjigjet në fushë. Duam shumë të kalojmë në 1/8 finale, kjo është ajo që kemi të gjithë në mendje”.

A ka ndryshuar diçka te Milani?

Po, kam pasur më shumë kohë për të punuar. Kam ardhur një muaj e gjysmë më parë, lojtarët po e kuptojnë më mirë atë që dua nga skuadra. Çdo ditë që kalon ka një evoluim natyror, tani teknikisht jemi më të fortë, ekipi është më afër asaj që dua unë, edhe pse ende nuk është plotësisht i tillë. Është normale, ka ende shumë punë për të bërë. Duhet të integroj lojtarët e rinj, kam pak kohë për stërvitje dhe shumë ndeshje. Vazhdimisht besojmë tek ajo që po bëjmë, do të bëhemi më të fortë.

A keni folur me Gimenez për t’i dhënë ndonjë këshillë për këtë ndeshje të veçantë?

Jo, është e vështirë të japësh këshilla. Nuk kam folur me të për këtë, por për punën e tij në fushë, si me të gjithë të tjerët. Do të përpiqem t’i them diçka para dhe pas ndeshjes, por gjatë lojës gjithçka ndodh. Ai duhet të mendojë të bëjë më të mirën dhe ta ndihmojë skuadrën. Kjo është gjëja më e rëndësishme.

Keni disa probleme me formacionin…

Nuk është se kemi shumë zgjedhje, kemi vetëm 15 lojtarë gati, plus Camarda dhe Bartesaghi. Për shkak të dëmtimeve dhe lojtarëve jashtë liste kemi disa vështirësi, por edhe kundërshtari ka të dëmtuarit e vet. Ne, trajnerët, duhet të gjejmë zgjidhje.

A do të luani me katër sulmues?

Në fushë luajnë 11 lojtarë, ekuilibri arrihet me gjithë ekipin. Ibra ka thënë që kam dy skuadra në dispozicion, por unë kam më shumë se dy, me gjithë sektorin e të rinjve. Duam të bëjmë mirë. Ekuilibri arrihet duke punuar. Nuk është se duke pasur shumë lojtarë ofensivë shënon më shumë gola ose duke pasur shumë mbrojtës nuk pëson gola. Ka shumë momente në lojë dhe ne kemi nevojë për këtë ekuilibër.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit