

TIRANË – Firma e kryebashkiakut Erion Veliaj i është deleguar nënkryetares së Bashkisë për Marrëdhëniet me Jashtë, Anuela Ristani. Tashmë Ristani është kryetare e komanduar e Bashkisë së Tiranës. Firma i është deleguar pasditen e sotme në prani të kryeministrit Edi Rama dhe kreut të Këshillit Bashkiak.
Kryeministri Edi Rama ishte në ambientet e bashkisë, ku zhvilloi një mbledhje me stafet drejtuese, mbledhje e cila zgjati rreth 15 minuta. Vizita e Ramës në Bashkinë e Tiranës është e dyta për ditën e sotme në këtë institucion.
Kryebashkiaku Veliaj u arrestua mesditën e 10 shkurtit. Zyrtarët e SPAK dhe BKH-së zbarkuan në Bashkinë e Tiranës dhe vunë në pranga Veliajn, i cili akuzohet për abuzime me fonde publike bashkë me gruan e tij Ajola Xoxa. Gjykata e Posaçme ka lëshuar 5 masa sigurie në kuadër të hetimeve ndaj Veliajt. Për Ajola Xoxën, bashkëshorten e kryebashkiakut, GJKKO ka caktuar masën “arrest në shtëpi”. Ndërsa biznesmenët e implikuar në dosje Gentian Sula, Meriman Palushi, Fatmir Bektashi, Sokol Kryeziu dhe Shkëlqim Fusha janë vënë në detyrim paraqitje.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





